Ekonomi

OECD: Ekonomia globale rritje të kufizuar, e ndikuar nga normat e interesit

Rritja ekonomike globale do të përmirësohet në mënyrë të moderuar gjatë vitit të ardhshëm, pasi do të ndihen ndikimet e plota të rritjes së normës së bankave qendrore, tha Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) në rishikimin e saj të fundit.

Ekonomia botërore do të rritet me 2.7% këtë vit, tha OECD, ndryshe nga parashikimi i mëparshëm prej 2.6% në mars.

Megjithëse e nxitur nga heqja e politikës zero Covid të Kinës, kjo do të ishte shkalla më e ulët vjetore, që nga kriza globale financiare 2008-2009, me përjashtim të vitit të goditur nga pandemia e 2020-ës.

Rritja do të përshpejtohej vetëm paksa vitin e ardhshëm, në 2.9% – e pandryshuar nga parashikimi i marsit – pasi rritja e normave nga bankat kryesore qendrore gjatë vitit të kaluar, ngadalëson gjithnjë e më shumë investimet private, duke filluar me tregjet e banesave.

Banka Botërore përmendi gjithashtu shtimin e ndikimit të rritjes së normave, pasi përmirësoi parashikimin për rritjen botërore këtë vit, në 2.1%, por për vitin 2024 e uli atë në 2.4%, krahasuar me parashikimin e mëparshëm 2.7%. Një rënie e mprehtë në maj për eksportet kineze, tregoi gjithashtu dobësimin e kërkesës globale.

OECD parashikoi, që inflacioni në grupin e 20 ekonomive kryesore, do të binte nga 7.8% vitin e kaluar, në 6.1% këtë vit dhe 4.7% në 2024 – ende shumë mbi objektivat e shumë bankave qendrore, pavarësisht rritjes së normave të interesit.

“Një rrezik thelbësor është, që inflacioni të jetë i vazhdueshëm dhe si përgjigje, normat e interesit duhet të jenë më të larta për një kohë më të gjatë,” tha në një konferencë shtypi drejtuesja ekonomike e OECD-së, Clare Lombardelli.

Kreu i OECD-së, Mathias Cormann bëri thirrje duke thënë se, rreziku i bankave të mëdha qendrore ishte aktualisht “i barazuar në mënyrë të barabartë”.

Zyrtarët e Rezervës Federale të SHBA, kanë shënuar një pauzë të mundshme në rritjen e normave të interesit, ndërsa Banka Qendrore Europiane ka treguar se ka të ngjarë të ketë rritje të mëtejshme në muajt e ardhshëm.

Në perspektivën e OECD-së, norma kryesore e interesit e Rezervës Federale të SHBA arriti kulmin në 5.25-5.5%, me ulje “modeste” të normës në gjysmën e dytë të 2024.

Në Eurozonë, OECD pret që BQE të vazhdojë të rrisë normat, si kundërpërgjigje ndaj inflacionit bazë ende të lartë, me një kulm të parë në tremujorin e tretë. Organizata parashikoi, që BQE-ja më pas, do ta çonte normën në 4.25% deri në fund të vitit 2024.

Ndërsa ndikimi i çmimeve të energjisë gjatë dimrit në Europë zbehet, rritja e Eurozonës parashikohet të përshpejtohet nga 0.9% këtë vit, në 1.5% në 2024, pasi inflacioni më i ulët do të ketë peshë më të vogël mbi të ardhurat.

Në mars, OECD parashikoi rritje prej 0.8% në 2023 dhe 1.4% në 2024. Në mënyrë të ngjashme, rritja e Mbretërisë së Bashkuar parashikohet të jetë nga 0.3% në 2023 në 1% në 2024, pasi rritja e të ardhurave reale fillon të përmirësohet. Perspektiva e Mbretërisë së Bashkuar u rrit nga parashikimet e marsit, -0.2% në 2023 dhe 0.9% në 2024

Burimi: Reuters/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë