Kombetarja

Odise Roshi rinovon kontratën, fieraku kuqezi edhe 3 vjet “rus”

Odise Roshi ka rinovuar kontratën me klubin rus të Akhmat Groznit. Lajmi është bërë i ditur nga faqja zyrtare e këtij klubi në Tuiter, në një deklaratë ku jepen disa detaje të kontratës së re të futbollistit të kombëtares shqiptare. Edhe 3 sezonet e ardhshme, futbollisti fierak do të jetë “rus”.

Palët kanë qenë të gatshme për vazhdimin e bashkëpunimit dhe rinovimi ka qenë më shumë një formalitet. Nuk bëhen të ditur termat financiarë të kontratës së re të Roshit, që është e vlefshme deri në vitin 2022. Fieraku ka kaluar tek Akhmat Grozni në vitin 2016, bashkë me sulmuesin Bekim Balaj. Më parë ka luajtur në Kroaci me Rijekën dhe në Gjermani me Këlnin. Futbollisti 28-vjeçar është në kulmin e pjekurisë dhe drejtuesit e klubit rus nuk u menduan dy herë për zgjatjen e kontratës. Ata kanë besim të plotë te shqiptari, ia njohin vlerat dhe nuk u ndikuan aspak nga fakti që ai vjen pas një dëmtimi, që e ka mbajtur jashtë fushave për një kohë të gjatë.

https://twitter.com/akhmatgrozny/status/1132344043676028928
Zyrtarizimi i rinovimit me Roshin nga klubi rus

Mesfushori i krahut të djathtë, i njohur për shpërthimet e tij, i ka munguar shumë edhe Kombëtares në ndeshjet e fundit dhe rikthimi i tij është mjaft pozitiv për trajnerin Edi Reja. Gjatë kësaj vere parashikohet të ketë shumë lëvizje të futbollistëve kuqezinj dhe Roshi është ndër të paktët që janë konfirmuar në klubet përkatëse. Emrat më të lakuar për të ndërruar ekip janë portierët Tomas Strakosha, për të cilin ka oferta nga Anglia, dhe Etrit Berisha, që kërkon një ekip të ri për të luajtur titullar. Edhe Elseid Hysaj është nga një nga kuqezinjtë që me shumë gjasa do të bëhet me ekip të ri sezonin e ardhshëm. E paqartë është e ardhmja edhe për futbollistë si Armando Sadiku, Eros Grezda e të tjerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë