Kombetarja

Odise Roshi: Franca me mungesa? Ata nuk e kanë fare problem

Odise Roshi ishte një nga dy lojtarët që dolën para gazetarëve në konferencën e dytë për shtyp të kuqezinjve në prag të ndeshjes me Francën, e vlefshme për eliminatoret e Europianit 2020. Mesfushori i krahut të djathtë theksoi mes të tjerash se atmosfera në ekip është entuziaste dhe se mungesat e Francës nuk duhen marrë aspak në konsideratë, duke ditur potencialin që ka kjo skuadër.

Fillimisht, futbollisti fierak foli për gjendjen e tij fizike: “E kam marrë veten pas operacionit, kam luajtur disa ndeshje me Akhmat Groznin dhe jam në formë mjaft të mirë aktualisht. A do të luaj? E di trajneri, personalisht jam gati të jap kontributin tim për ekipin”, - tha Roshi, për të vazhduar më pas me gjendjen e skuadrës: “Kombëtarja e ka fituar ndeshjen e fundit dhe gjendja është pozitive. Kemi përpara dy ndeshje shumë të rëndësishme ndaj Francës dhe Islandës, duhet të japim maksimumin. Në Kombëtare ka një frymë shumë të mirë, por tani është e rëndësishme të marrim rezultate. Nëse ia dalim, do të ishte shumë bukur për ne dhe të gjithë shqiptarët.

Roshi dhe Lenjani në stërvitje me Kombëtaren. Gazeta Si, 3 shtator 2019

Trajneri Reja luan nga krahët, zakonisht me skemën 3-5-2. Me këtë skemë kam luajtur edhe në kampionatin rus, por ende nuk e dimë se do të rreshtohemi në dy ndeshjet e radhës, sepse Franca dhe Islanda janë kundërshtarë mjaft të fortë. Franca me mungesa? Ata nuk e kanë fare problem, sepse edhe në stol kanë lojtarë shumë të fortë, që luajnë me ekipe të mëdha. Nuk mund të merremi me mungesat e Francës. Ndaj kësaj skuadre kemi kujtime të bukura, e kemi mundur këtu, por të mos flasim para kohe dhe t’ia lëmë gjithçka fushës”, - theksoi mes të tjerash Odise Roshi, një nga lojtarët me më shumë përvojë në Kombëtare.
Shqipëria luan të shtunën me Francën në transfertë dhe të martën e ardhshme me Islandën në stadiumin “Elbasan Arena”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë