Kosova

Oda e Hotelerisë reagon ndaj masave të reja anti covid

Oda e Hotelerisë dhe Turizmit (OHT) ka reaguar ndaj masave të reja kundër COVID-19, të marra nga Qeveria e Kosovës.

Sipas saj,hoteleria dhe gastronomia nuk kanë qenë  dhe nuk janë vatër e infeksioneve përderisa gjatë gjithë kohës kanë punuar me kapacitetete të reduktuara dhe rastet sërish u rritën ndjeshëm.

“Masat asnjëherë nuk janë lehtësuar për sektorin e hotelerisë dhe gastronomisë, kufizimet për këto sektore kanë qenë gjithmonë prezente, nuk u është lejuar të punojnë me kapacitete të plota, janë përballur me masa të rrepta dhe me dënime të shumta të paarsyeshme. Si çdoherë, edhe kësaj here masat e reja janë marrë pa asnjë konsultim me organizatat apo shoqatat që përfaqësojnë bizneset, e këto masa si zakonisht i kemi kuptuar vetëm përmes rrjeteve sociale apo mediave tona!”, ka shkruar OHT-ja në Facebook.

“Përveç këtyre duhet ta ripërmendim prap që si sektor jemi më të dëmtuarit, dhe më të pa mbështeturit nga Institucionet e Kosovës, pra nuk është bërë asnjë subvencionim ndaj këtyre sektoreve, edhe një ndihmë sadopak e vogël që ka qenë ajo e TVSH%-së tani veçse është ngritur prapë në 18%.

E mos të flasim për dënimet e përditshme që ndodhin, e me theks të veçantë shtrejtimin e energjisë elektrike, gjë e cila tash e disa ditë ka shkaktuar dëme shumë të mëdha qoftë te qytetarët apo te bizneset.
Kjo për shkak se vetëm është rritur çmimi i energjisë elektrike dhe nuk është bërë asnjë lehtësim për bizneset, asnjë subvenconim e as ndonjë rritje page ndaj punëtorëve”, shkruan OHT-ja.

Ajo i bën thirrje Qeverisë  që t’i dëgjojnë e të konsultohen me ta.

“Konsultohuni me përfaqësues të bizneseve dhe me biznese direkt, sepse ne jemi ata që i shohim problemet nga afër, i dijmë hallet e bizneseve dhe do të ishte mirë që mendimet apo propozimet tona të mirren parasysh e jo të veproni në këtë mënyrë sepse problemet dhe dëmet po shtohen çdo ditë e më shumë.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë