Sociale

OBSH: Orët e gjata të punës janë vrasëse

“Duke punuar me orë të gjata po vriten qindra mijëra njerëz në vit dhe gjërat priten të bëhen më keq për shkak të pandemisë”, tha të hënën Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Në studimin e parë global të humbjes së jetës për shkak të orëve të gjata në punë, revista Environment International tregoi se 745,000 njerëz vdiqën nga goditja në tru dhe sëmundjet e zemrës të shoqëruara me orë të gjata pune në 2016.

Kjo ishte një rritje me gati 30% nga 2000.

"Puna 55 orë ose më shumë në javë është një rrezik serioz për shëndetin", tha Maria Neira, drejtoreshë e Departamentit të OBSH-së për Mjedisin, Ndryshimet Klimatike dhe Shëndetin.

"Ajo që ne duam të bëjmë me këtë informacion është të promovojmë më shumë veprim, më shumë mbrojtje të punonjësve”, tha ajo.

Studimi i bërë nga OBSH dhe Organizata Ndërkombëtare e Punës, tregoi se shumica e viktimave (72%) ishin burra dhe ishin të moshës mesatare ose më të mëdhenj. Shpesh, vdekjet ndodhën shumë më vonë në jetë, ndonjëherë dekada më vonë, sesa në momentet e punës së zgjatur.

Ai gjithashtu tregoi se njerëzit që jetonin në Azinë Juglindore dhe rajonin e Paqësorit Perëndimor, rajon që përfshin Kinën, Japoninë dhe Australinë, ishin më të prekurit.

Në përgjithësi, studimi, bazuar në të dhëna nga 194 vende, tha që të punosh 55 orë ose më shumë në javë shoqërohet me një rrezik 35% më të lartë të goditjes në tru dhe një rrezik 17% më të lartë të vdekjes nga sëmundja ishemike e zemrës krahasuar me 35-40 javë pune.

Studimi mbuloi periudhën 2000-2016 dhe kështu nuk përfshiu pandeminë COVID-19, por zyrtarët e OBSH thanë që rritja e punës në distancë dhe ngadalësimi ekonomik global si rezultat i koronavirusit mund të kenë rritur rreziqet.

Stafi i OBSH-së thonë se ata kanë punuar me orë të gjata gjatë pandemisë dhe se kështu janë shumë punonjës të tjerë dhe punëdhënësit duhet ta marrin parasysh këtë studim dhe të shikojnë si ndikojnë orët e zgjatura në produktivitetin e punonjësve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë