Shendet

OBSH në alarm për shpërthimin e kolerës në 30 vende të botës

Rikthehet emergjenca e kolerës. Sëmundja infektive ka goditur deri tani 30 vende në botë. OBSH e vlerëson situatën si mjaft të rëndë, veçanërisht në Afrikë, ku në Janar janë evidentuar 26 mijë raste aktive dhe rreth 700 te vdekur në 10 vende të ndryshme, duke shënuar një rritje me 30% në krahasim me vitin e kaluar.

Disa nga vendet e prekura nuk kishin raportuar asnjë rast me kolera për vite me radhë.

"Gjatë vitit të kaluar ne kemi parë një shpërthim të madh të kolerës”, thotë Arielle Nylander, eksperte e Politikave Shëndetësore.

Ajo thotë që jo vetëm se ka më shumë shpërthime, por ato prekin më shumë njerëz dhe janë më vdekjeprurëse.

"Në total, 13 vende që nuk raportuan kolerë në 2021 përjetuan shpërthime në vitin 2022. Më shqetësuese, shumë prej këtyre vendeve nuk kanë pasur raste për vite me radhë. Libani nuk kishte raportuar kolerë për gati tre dekada, por deri në fund të 2022 kishte raste në shumicën e rretheve në të gjithë vendin.

Gjithashtu edhe Republika demokratike e Kongos dhe Kameruni janë prekur dhe infektimet janë në rritje. Siria, vend i shkatërruar nga lufta e nga tërmetet e muajit Shkurt, që nga Gushti 2022 ka regjistruar rreth 77 mijë raste me kolerë.

Kolera, sëmundje infektive e shkaktuar nga konsumi i ujit të papastër dhe të ndotur nga kanalizimet e ujërave të zeza, shkakton diarre e të vjella, e sjell në kohë të shkurtër vdekjen e pacientit nëse nuk kurohet më urgjencë. Është mjaft ngjitëse dhe përhapet me shpejtësi te madhe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë