Shendet

OBSH jep alarmin për cigaret elektronike: Po dëmtojnë të rinjtë

Nevojitet veprim urgjent për të kontrolluar cigaret elektronike për të mbrojtur fëmijët, si dhe jo-duhanpirësit dhe për të minimizuar dëmet shëndetësore për popullatën. Është ky alarmi i OBSH-së, e cila paralajmëron se është e nevojshme dhe urgjente të rregullohet përdorimi i cigareve elektronike.

Cigaret elektronike si produkte të konsumit nuk tregohen efektive për të lënë duhanin në nivel popullsie. Në vend të kësaj, janë shfaqur prova alarmante mbi efektet negative të shëndetit të popullatës.

Cigaret elektronike janë lejuar në tregun e hapur dhe janë tregtuar në mënyrë active për të rinjtë. 34 vende ndalojnë shitjen e cigareve elektronike, 88 vende nuk kanë moshë minimale në të cilën mund të blihen cigaret elektronike dhe 74 vende nuk kanë rregullore për këto produkte të dëmshme.

"Fëmijët po rekrutohen në një moshë të re për të përdorur cigare elektronike”, tha Dr Tedros Adhanom Ghebreyesus, Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së.

"Unë u bëj thirrje vendeve të zbatojnë masa të rrepta për të parandaluar përdorimin e tyre për të mbrojtur qytetarët, veçanërisht fëmijët dhe të rinjtë.”

Ndërsa efektet afatgjata shëndetësore nuk janë kuptuar plotësisht, është vërtetuar se ato prodhojnë substanca toksike, disa prej të cilave dihet se shkaktojnë kancer dhe disa që rrisin rrezikun e çrregullimeve të zemrës dhe mushkërive. Përdorimi i cigareve elektronike mund të ndikojë gjithashtu në zhvillimin e trurit dhe të çojë në çrregullime të të mësuarit për të rinjtë. Ekspozimi i fetusit ndaj cigareve elektronike mund të ndikojë negativisht në zhvillimin e fetusit tek gratë shtatzëna.

"Këto cigare, të cilat janë absolutisht joefektive për të lënë duhanin, në kundërshtim me atë që deklarojnë ata që i projektuan kanë efekte të dëmshme në shëndet”, nënvizon menaxheri i promovimit të shëndetit të OBSH-së, Rudiger Krech. Ai tha se si industria e duhanit është përgjegjëse për 8 milionë vdekje në vit.

"Taktika e kësaj industrie është që zbulon një rënie të duhanpirësve dhe përpiqet të rekrutojë të rinj. Për ta bërë këtë tani promovon e-cigaret”, shtoi ai. Kështu të rinjtë bëhen viktima të atyre që i inkurajojnë te "vape". Nuk është rastësi që OBSH ka zbuluar një rritje të qartë të përdorimit të cigareve elektronike tek të rinjtë.

Në Kanada, për shembull, shkalla e përdorimit midis të rinjve 16-19 vjeç u dyfishua midis 2017 dhe 2022 dhe u trefishua midis të rinjve në Britaninë e Madhe gjatë tre viteve të fundit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë