Shendet

OBSH: Fruthi tani është një kërcënim global për shkak të pandemisë

Tani ekziston një kërcënim i përhapjes së fruthit në rajone të ndryshme globale, pasi Covid-19 çoi në një rënie të vazhdueshme të mbulimit të vaksinimit dhe mungesë të mbikëqyrjes nga stafet mjekësore. Këtë e kanë thënë Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe agjencia e shëndetit publik amerikan.

Fruthi është një nga viruset më ngjitëse dhe është pothuajse tërësisht i parandalueshëm përmes vaksinimit. Megjithatë, kërkon 95% mbulim vaksinash për të parandaluar shpërthimet midis popullatave.

Një rekord prej afro 40 milionë fëmijësh humbën një dozë të vaksinës së fruthit në vitin 2021 për shkak të pengesave të krijuara nga pandemia, thanë OBSH dhe CDC në një raport të përbashkët.

“Ndërsa rastet e fruthit nuk janë rritur ende në mënyrë dramatike në krahasim me vitet e mëparshme, tani është koha për të vepruar”, tha për Reuters drejtuesi i OBSH-së për fruthin, Patrick O’Connor.

Ai tha se një kombinim faktorësh si masat kundër Covid dhe natyra ciklike e fruthit mund të shpjegojnë se pse ende nuk ka pasur një shpërthim të rasteve pavarësisht nga mungesa e vaksinimit, “por kjo mund të ndryshojë shpejt, duke ditur edhe natyrën shumë ngjitëse të sëmundjes”.

Ai shtoi se OBSH ka parë tashmë një rritje të shpërthimeve të mëdha që nga fillimi i vitit 2022, duke shtuar se ai është veçanërisht i shqetësuar për pjesë të Afrikës Sub-Sahariane.

OBSH shkruan se në vitin 2021, afro 61 milionë doza të vaksinës së fruthit u shtynë ose u humbën për shkak të vonesave të lidhura me Covid-19.

“Vonesat rrisin rrezikun e shpërthimit të fruthit, kështu që është koha që zyrtarët e shëndetit publik të përshpejtojnë përpjekjet e vaksinimit”, shkruan OBSH.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë