Shendet

OBSH: Covid mund të ketë vrarë deri në 180 mijë punonjës shëndetësorë në mbarë botën

Një dokument i Organizatës Botërore të Shëndetësisë tregon se nga 135 milionë staf shëndetësor në botë, "midis 80,000 deri në 180,000 punonjës shëndetësorë dhe të kujdesit mund të kenë vdekur nga Covid-19 në periudhën midis janarit 2020 deri në maj 2021".
Shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se punonjësit e kujdesit shëndetësor duhet të imunizohen kundër sëmundjes të parët.
“Të dhënat nga 119 vende sugjerojnë se mesatarisht, dy në pesë punonjës shëndetësorë dhe të kujdesit globalisht janë plotësisht të vaksinuar. Ne u bëjmë thirrje të gjitha vendeve që të sigurojnë që të gjithë punonjësit e shëndetësisë dhe kujdesit në çdo vend të kenë prioritet për vaksinat Covid-19, krahas grupeve të tjera në rrezik”, ka thnënë drejtuesi i OBSH.
Ai shtoi se më shumë se 10 muaj që kur u miratuan vaksinat e para nga OBSH, fakti që miliona punonjës shëndetësorë ende nuk ishin vaksinuar ishte një lloj dështimi ndaj vendeve dhe kompanive që kontrollonin furnizimin global të dozave.
Annette Kennedy, presidente e Këshillit Ndërkombëtar të Infermierëve, tha se organizata ishte e pikëlluar për të gjithë punonjësit e kujdesit shëndetësor që kishin humbur jetën “pa nevojë sepse mund të ishin shpëtuar nëse do ishin marrë masa”
“Ata janë të rraskapitur fizikisht dhe mendërisht. Dhe ka një parashikim që 10% e tyre do të largohen nga puna brenda një kohe shumë të shkurtër, duke thelluar edhe më shumë krizën në sistemet shëndetësore,” shtoi Kennedy.
OBSH thotë se çdo vend duhet të ketë vaksinuar rreth 40% të popullatës deri në fund të vitit në mënyrë që të minimizohet përhapja e virusit. Covid-19 ka vrarë të paktën 4.9 milionë njerëz që nga fillimi i shpërthimit në Kinë në dhjetor 2019.
Burimi:The Guardian/Përshtati:Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë