Shendet

Obeziteti ndryshon aftësinë e trurit për të njohur ndjesinë e ngopjes

Obeziteti mund të dëmtojë aftësinë e trurit për të njohur ndjesinë e ngopjes dhe për t'u kënaqur pas ngrënies së yndyrave dhe sheqernave, sipas një studimi të ri.

Këto ndryshime të trurit mund të zgjasin edhe pasi njerëzit që konsiderohen obezë të humbin një sasi të konsiderueshme të peshës, çka shpjegon se pse shumë njerëz shpesh rifitojnë kilogramët që humbin.

“Edhe pasi humbën kilogramët e tepërta, përsëri personat e përfshirë në studim nuk arrinin të kontrollonin veten pikërisht sepse kishin të dëmtuar aftësinë e trurit për të njohur ndjesinë e ngopjes”, thotë Caroline Apovian, pedagoge në Harvard duke shtuar se ky studim tregon se pse obeziteti është një sëmundje.

Studimi, i botuar të hënën në Nature Metabolism, ishte një provë klinike e kontrolluar në të cilën 30 persona të konsideruar si obezë nga ana mjekësore dhe 30 njerëz me peshë normale u ushqyen me karbohidrate sheqeri (glukozë), yndyrna (lipide) dhe ujë. Secili grup ushqehej drejtpërdrejt në stomak nëpërmjet një tubi ushqimi.

“Ne donim të anashkalonim gojën dhe të fokusoheshim në lidhjen zorrë-tru, për të parë se si lëndët ushqyese ndikojnë në tru, pavarësisht nga shikimi, nuhatja apo shijimi i ushqimit”, thotë autorja kryesore e studimit Mireille Serlie, pedagoge në Universitetin e Yale, Connecticut.

Një natë para testimit, të 60 pjesëmarrësit hëngrën të njëjtin vakt për darkë në shtëpi dhe nuk hëngrën më derisa vendosën tubin e ushqimit mëngjesin tjetër. Ndërsa sheqernat ose yndyrat hynë në stomak përmes tubit, studiuesit përdorën imazhe funksionale të rezonancës magnetike (fMRI) për të kapur përgjigjen e trurit për 30 minuta.

Tek njerëzit me peshë normale, studimi zbuloi se sinjalet e trurit ngadalësoheshin kur sheqernat ose yndyrat futeshin në sistemin tretës, dëshmi se truri e dinte se trupi ishte ushqyer.

Megjithatë, kur të njëjtat lëndë ushqyese iu dhanë njerëzve që konsideroheshin obezë, aktiviteti i trurit nuk u ngadalësua.

Kjo nuk ndryshonte as kur ushqimi përmbante yndyrna.

Kjo është arsyeja pse njerëzit duan një burger në vend të brokolit për shembull, pasi yndyrnat në burger janë biologjikisht një përgjigje të mirë në tru.

Më pas, studimi u kërkoi njerëzve me obezitet të humbnin 10% të peshës së tyre trupore brenda tre muajve.

Testet u përsëritën njësoj si në fillim dhe rezultatet ishin befasuese. Humbja e peshës nuk ndryshoi gjë në trurin e peronave obez.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë