Ushqim

Obeziteti krijohet që në barkun e nënës

Të gjithë janë të rrezikuar nga obeziteti. Madje edhe fëmijët në barkun e nënës mund të rrezikohet nga obeziteti. Nutricionistja klinike Diola Dosti tregoi për Gazetasi.al se obeziteti i fetusit duket që në eko dhe mjedisi i ofruar nga nëna, është më i rëndësishëm se sa kontributi gjenetik.
-Si dallohet obeziteti që në barkun e nënës?
Normalisht gjendja e fetusit shihet me anë të ekove që bëhen gjatë muajve të shtatzënisë. Një fetus mbipeshë ka një peshë më të madhe trupore dhe nëna pëson një rritje më të shpejtë të peshës trupore gjithashtu. Gratë që janë mbipeshë kanë një risk më të lartë për të pasur një abort. Flasim këtu gjithmonë në krahasim me gratë që kanë një peshë normale. Por, kur nëna ka peshë më të madhe, edhe mundësia për të bërë një diagnostikë më të mirë të fetusit, është më e vogël pasi yndyra e shtuar në trup vështirëson punën e mjekut për të parë anatominë e fetusit.
-Kush e përcakton peshën e lindjes?
Mbi-konsumi fetal, i evidentuar nga anormaliteti me peshë të madhe lindjeje, duket se është një faktor i obezitetit në fëmijëri dhe gjatë gjithë jetës. A mund të ketë lidhje kjo me atë që konsumon nëna gjatë shtatzënisë. Për shembull një fëmijë ka nënë donore që ka gjithë ADN-në dhe nënë surrogate që krijon mjedisin intrauterine,kush ndikon më shumë? Sigurisht, nëna surrogate! Një bebe që jeton nga një nënë surrogate obeze, por që nënën biologjike e ka të dobët, ka një risk më të lartë për t'u bërë obezë. Pra, mjedisi i ofruar nga nëna, është më i rëndësishëm se sa kontributi gjenetik.
-Sa ndikon obeziteti në bark tek fëmijët kur rriten?
Sipas një studimi të publikuar në revistën “Journal of Family Medicine and Primary Care”, thuhet se obeziteti tek fëmijët mund të prekë shëndetin mendor, social dhe emocional të fëmijës. Kjo gjithashtu lidhet me performancë të ulët akademike. Këta fëmijë kanë një risk të shtuar për vdekje premature, konsumojnë porcione më të mëdha ushqimi, marrin më shumë yndyrë, hanë më pak fruta dhe perime në çdo moshë, janë më pak fizikisht aktivë, rrinë më shumë pasivë, para televizorit, kompjuterit apo video-game. Këta fëmijë preferojnë të konsumojnë më shumë vaktet në shtrat, të hanë më shumë në darkë dhe më pak në mëngjes. Krijojnë lehtë varësi nga ushqimet e ëmbla. Mund të vuajnë më shumë nga nomophobia apo nga fobia që mund të ngelen pa pajisjet mobile si telefon, kompjuter, I-pad. Stomaku i tyre vazhdimisht do të vijë duke u zgjeruar nisur nga fakti se do jene duke ngrenë shpesh dhe porcione të mëdha, kryesisht ushqime të pashëndetshme. Mund të ndihen pa energji, të lodhur sepse nuk marrin energjinë e mjaftueshme nga ushqimet e shëndetshme, kryesisht nga ato me ngjyrë jeshile. Mund të kenë risqe në shëndet si mëlçia e dhjamosur (e cila zakonisht nuk ka simptoma), apo probleme me kapsllëkun nga mungesa e konsumit të ushqimeve me fibra, mund të kenë probleme me kujdesën apo memorizimin e informacioneve të reja në shkollë pasi truri nuk merr yndyrën e shëndetshme që i duhet, por mund të marrë yndyrën e hidrogjenizuar apo jo të shëndetshme nga konsumi i ushqimeve të pashëndetshme. Mund të zhvillojnë diabet gjithashtu dhe mund të kenë nevojë të trajtohen gjatë gjithë jetës me terapi. Prandaj obeziteti konsiderohet si pandemi, jo thjesht një çrregullim. Njihet edhe si diabezitet duke qenë se kanë një lidhje të ngushtë mes tij dhe diabetit.
-A ka risk që fëmijët e nënave obeze të zhvillojnë gjendjen e obezitetit kur të rriten?
Risku është i lartë. Është bërë një eksperiment me fëmijën e rritur tek një nënë surrogate. Nëna biologjike ka qenë elegante kurse nëna surrogate ka qenë mbipeshë. Fëmija ka lindur mbipeshë. Pra mjedisi ushqimor nga i cili është i rrethuar fëmija që në bark, ka një rol drastik në shëndetin e fëmijës. Pastaj më tutje, një fëmijë i cili ka nënën obeze, kryesisht është i rrethuar nga ushqime të pashëndetshme dhe sigurisht që, nisur nga mjedisi në të cilin rritet, fëmija ka risk të lartë për t’u bërë obezë. Prandaj hapi i parë është edukimi i frigoriferit me shumë llojshmëri frutash dhe perimesh stinore.
-A ndikon ushqimi që konsumojnë nënat në obezitetin e fëmijëve?
Sigurisht. Ne jemi çfarë hamë, çfarë tresim dhe çfare nuk tresim. Pothuajse çdo partikulë nutricionale kalon nëpërmjet kordonit umbilikal tek fetusi. Madje edhe nëse konsumojmë cigare (që është e ndaluar rreptësisht, por nisem këtu nga shumë zonja që e konsumojnë pa qenë të informuara për efektet anësore), kimikatet e saj prekin dhe fetusin. Ka një artikull i cili bën një lidhje midis obezitetit dhe autizmit. Qëndroni larg ushqimeve të gatshme, pijeve të gatshme. Më shumë klorofil nga frutat dhe perimet me ngjyrë jeshile, omega 3 (vaj peshku pa mërkur) dhe shumë ujë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë