Futboll

“NY Times” lëshon bombën, Mançester Siti jashtë Championsit

Vetëm pak ditë pas fitimit të titullit kampion në Angli, Mançester Siti ka marrë një lajm të hidhur. Nuk është ende një lajm zyrtar, por që i ka bërë të dridhen të gjithë në klubin anglez. Mançester Siti, sipas prestigjiozes “New York Times”, mund të përjashtohet nga Champions League, kompeticioni më i lartë europian në rang klubesh. Arsyeja ka të bëjë me disa parregullsi të konstatuara në kuadrin financiar, që i takojnë vitit 2014.

Një lajm që ka rënë si bombë te kampionët e Anglisë. Gjithë ajo lumturi për fitimin e garës së titullit me Liverpulit mund të pasohet nga një shije mjaft e hidhur për ekipin e trajnerit Pep Guardiola. “New York Times” ka ngritur alarmin për përjashtimin e Sitit nga Champions League e sezonit të ardhshëm, sepse janë konstatuar parregullsi financiare në bilancin e 5 viteve më parë, në 2014-ën.

Mançester Siti feston titullin kampion

Kontrolli financiar i UEFA-s ka bërë një mbledhje në Nion dy javë më parë, ku ka analizuar gjithçka sa i takon bilancit financiar të klubit anglez. Sipas të përditshmes amerikane, vendimi zyrtar i UEFA-s do të publikohet brenda kësaj jave. Do të ishte një goditje e fortë për Mançester Sitin, nëse mbetet jashtë kompeticionit prestigjioz të klubeve. Ka kohë që klubi anglez është vënë në “lupën” e UEFA-s, ashtu si dhe PSG-ja në Francë, pasi shpenzimet e këtyre dy klubeve të drejtuara nga sheikët, janë të jashtëzakonshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë