Analize

“Nxënësi” i Albright që do të “pajtojë” Kosovën dhe Serbinë

Gati 20 vjet pasi Madeleine Albright vuri me “shpatulla pas murit” Sllobodon Millosheviç për t’i dhënë fund luftës së përgjakshme në Kosovë, një nga “nxënësit” e ish-sekretares Amerikane të Shtetit duket se do të vazhdojë misionin e Washingtonit për të vendosur paqe mes Beogradit dhe Prishtinës. Tani që dialogu i udhëhequr nga BE-ja ka dështuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur të marrin sërish "frenat” për të udhëhequr shqiptarët dhe serbët drejt arritjes së marrëveshjeje përfundimtare.

Ndërkohë që të gjithë pyesin veten kush do të jetë ndërmjetësuesi kryesor i SHBA, mediat serbe kanë zbuluar emrin e Mathew Palmer, si zyrtari i dytë më i rëndësishëm në këtë mision të ndërmarrë nga SHBA-ja. Zëvendës ndihmësi i Sekretarit të Shtetit pritet që në negociatat e ardhshme të marr një rol kyç për përmbylljen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Me një bagazh të vyer dijesh dhe eksperiencash mbi problemet dhe konfliktet në Ballkan, ai pritet ta udhëheqë të drejtojë palët drejt arritjes së marrëveshjeje historike. Përzgjedhja e tij duket të jetë gjithçka përveçse rastësi, pasi Palmer ishte oficeri që përfaqësonte SHBA-në së bashku me Altbright në bisedimet me Millosheviçin për t’i dhënë fund të konfliktit të Kosovës në 1999.

Ai dhe ish-sekretarja mbajtën një sërë bisedimesh maratonë me diktatorin serb për ta bindur të tërhiqte trupat nga Kosova, bisedime që kulmuan me Marrëveshjen e Rambujesë.

Palmer shërbeu dy mandate në Ambasadën Amerikane në Beograd, fillimisht si një oficer tavoline, në kulmin e luftës në Bosnje dhe më vonë si këshilltar politik. Ai flet rrjedhshëm serbishten dhe kroatishten ndërkohë që përvojat e shumta në rajon duket se i kanë dhënë një përparësi të jashtëzakonshme në krahasim me diplomatët e tjerë amerikan.

Mathew Planmer dhe Presidenti Thaci

Aktualisht Palmer është anëtar i Shërbimit të Lartë të Jashtëm Amerikan dhe përgjegjësi kryesor për Ballkanin Perëndimor dhe Egjeun në Departamentin Amerikan të Shtetit. Ai ka punuar po ashtu në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ku ishte përgjegjës për hartimin e politikat e sigurisë.

Gjatë një fjalimi zyrtar në forumin e sigurisë së Beograd, zyrtari i lartë amerikan deklaroi se ashtu Kosova dhe Serbia kanë një mundësi historike për tu shkëputur nga e shkuara dhe të ecin së bashku drejt një të ardhmeje më të mirë dhe më të paqësore.

“Që nga fillimi tij, SHBA-ja ka mbështetur fuqishëm dialogun e sponsorizuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës. Mosmarrëveshjet po i mbajnë të dyja vendet e izoluara, duke penguar edhe rajonin të njohë potencialin e tij të plotë. Si Kosova ashtu edhe Serbia kanë të ardhme europiane, por nuk mund ta arrijnë këtë qëllim pa njëra-tjetrën. Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin arritjen e një marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit, tani është koha për kompromis dhe që të dyja palët të jenë kreative dhe fleksibël”, deklaroi Palmer.

Megjithatë sipas burimeve diplomatike, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ende nuk e kanë vendosur se kush do të jetë negociatori kryesor për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Mediat amerikane kanë prezantuar tanimë tre modelet e përfshirjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në zgjidhjen e çështjes Kosovë-Serbi. I pari është ‘Modeli i Kissingerit’, sipas të cilit pritet të përfshihen sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, dhe këshilltari i Trumpit , John Bolton. Ky i fundit ka qenë një një nga kundërshtuesit më të mëdhenj të pavarësisë së Kosvës në OKB dhe njihet si një mbështetës i Beogradit zyrtar.

Madeliene Albright

Modeli i dytë është ai i "Holbrookut” që do të nënkuptonte përfshirjen e një të dërguari të nivelit të lartë për bisedime. Sipas “Washington Times” ky është modeli që ka më shumë të ngjarë të aplikohet. Forma e tretë e përfshirjes amerikane në dialogun Kosovë-Serbi, është “modeli tradicional”. Në këtë kontekst, diplomatë me karrierë të gjatë mund të përfshihen në negociata dhe në fund të procesit mund të bashkohet edhe Presidenti i SHBA-së ose Sekretari i Shtetit, për të finalizuar marrëveshjen, dhe për të përgatitur ceremoninë e nënshkrimit. Por një model i tillë shihet si i pa mundur, pasi shumë ekspertë të politikës të jashtme janë larguar.

Cilido që të jetë modeli që SHBA-ja do të zgjedhë për të ndërmjetësuar dialogun Kosovë-Serbi, Palmer ka të ngjarë të jetë në prapaskenë duke mbajtur një sërë takimesh në Beograd dhe Prishtinë.

Gati dy vjet pas ardhjes në pushtet, Trump ka treguar një interes të pashembullt për tu angazhuar në Ballkanin Perëndimor. Për shumë ekspertë, iniciativa e Trump për të ndërhyrë në dialogun Kosovë-Serbi ishte një rikthim i viteve 90’ kur SHBA e kishte vënë Ballkanin në krye të agjendës së saj.

Por për të arritur paqen mes shqiptarëve dhe serbëve, presidenti duhet të kontaktojë me Madeleine Albright, zyrtaren e fundit të lartë amerikane që mbajti mbi shpatulla peshën e këtij misioni dhe, për të mësuar nga gabimet e saj.

Albeight dhe Presdenti Thaci

Si Sekretare Shteti gjatë presidencës së Bill Clinton, Albright udhëtoi herë pas herë në Beograd dhe Prishtinë duke e kthyer fundin e masakrave ndaj shqiptarëve në prioritetin kryesor të politikës së jashtme. Ky ishte shansi i fundit i administratës së Bill Clinton për të lënë një trashëgimi.

Albright shpresonte të përfundonte punën që administrata Klinton kishte filluar në 1994, me një marrëveshje të përhershme për tërheqjen paqësore të trupave serbe nga Kosova. Garancitë e sigurisë të ofruara nga SHBA-ja nuk mjaftuan, pasi pala serbe nuk pranoi të firmoste paktin ushtarak të hartuar nga ndërkombëtarët. Në atë kohë pala shqiptare dhe ajo serbe nuk u takuan ballë për ballë, por përmes ndërmjetësuesve.

Që Trump të shmangë gabimet e tilla është e nevojshme që këtë herë asnjëra palë të mos jetë në presion. Pra Beogradi të mos sulmohej duke thënë se do të bllokohet në rrugën drejt BE-së dhe se Kosova do të bllokohet në rrugën drejt NATO-s dhe OKB-së.

A është Palmer pro shkëmbimit të territoreve?

Në forumin në Beograd, Palmer foli gjatë për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare mes Serbisë dhe Kosovës, duke theksuar se administrata e Presidentit Trump është e gatshme të ndihmojë të dyja palët për gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët.

I pyetur nga gazetarët mbi kundërshtimin e Gjermanisë ndaj tezës së shkëmbimeve territoriale dhe se si do ta kalojë Washingtoni zyrtar pengesën e Berlinit ai u shpreh se: “Si fillim më lejoni të theksoj se SHBA-ja nuk mbështetet në mënyrë të veçantë një zgjidhje të caktuar për mosmarrëveshjet Kosovë-Serbi. Ne nuk jemi duke hedhur ide apo teza të caktuara. Ne jemi duke u përpjekur të bindim të dyja palët të marrin në dorë këtë proces dhe të gjejnë një zgjidhje që mund të pranohet nga të dyja palët. Ne nuk kemi parë asnjë plan konkret apo ndonjë marrëveshje që është arritur nga negociata dypalëshe prandaj është e vështirë të flasim për diçka abstrakte. E di që ka pasur disa shqetësime nëse marrëveshja përfundimtarë do të përfshijë shkëmbimet territoriale dhe pasojat që do të kishte një marrëveshje e tillë në rajon. Ne nuk jemi indiferentë ndaj këtyre shqetësimeve, por duhet të theksohen edhe shqetësimet nëse Beogradi dhe Prishtina nuk arrijnë asnjë marrëveshje përfundimtare. Vazhdimësia e një konflikti të ngrirë është duke dëmtuar po ashtu stabilitetin rajonal.”

Palmer dhe presidenti Vucic

Sipas tij zgjidhja përfundimtare për mosmarrëveshjet Serbi-Kosovë nuk mund të imponohet nga komuniteti ndërkombëtar.

“Shtetet e Bashkuara janë gati të dëgjojnë dhe të ndihmojnë. Kjo marrëveshje duhet të jetë e gjithanshme dhe të marrë parasysh faktorët, social, politik, kulturor, ekonomik dhe faktorët e sigurisë. Nëse do të kemi shqetësime për marrëveshjen e propozuar do të jemi të qartë dhe do të jemi të ndihmojmë të dyja palët në rrugën e tyre drejt arritjes së një zgjidhjeje. Ne i bëjmë thirrje Beogradit dhe Prishtinës të shfrytëzojnë këtë mundësi unike, të hedhin në tryezë ide dhe kompromise që mund të çojnë drejt një marrëveshjeje të kënaqshme për të dyja palët. Sepse nëse do të kishte një humbës dhe një fitues nuk do të kishte marrëveshje dhe fituesit e vetëm do të ishin faktorët e huaj që duan ta shohin këtë rajon të përçarë kundrejt vetvetes”, deklaroi ai, duke iu referuan tërthorazi fuqive të huaja si Turqia apo Rusia që kanë intensifikuar prezencën e tyre në Ballkan.

Zëvendës ndihmë sekretari amerikan i Shtetit, hodhi poshtë të gjithë zërat se Ballkani Perëndimor ka zbritur në fundin e listës së prioriteteve të SHBA-së, pasi Presidenti Donald Trump mori pushtetin. Ai shprehet në një interviste se Presidentti Trump mbetet i fokusuar dhe i përkushtuar për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor të arrijnë qëllimin e tyre për të hyrë në institucionet evuropiane dhe euroatlantike. “Ne kemi punuar për këtë qëllim për shumë vite përmes administratave të shumëfishta. Kjo mbetet qëllimi kryesor strategjik dhe objektivi i politikës amerikane”, deklaroi ai për “Western European Balkans”. “Nuk mendoj se është e vërtetë se Ballkani Perëndimor nuk është prioritet. Gjithmonë ka konkurrencë për kohën dhe vëmendjen, nga ana e parimeve. Sigurisht, nëse shikoni prapa në vitet 1990, Ballkani Perëndimor ishte në krye të prioritetit, jo vetëm për SHBA-në, por për mbarë botën. Gjërat kanë ndryshuar në këtë drejtim, por SHBA mbetet e angazhuar në këtë rajon. Ne mbetemi të angazhuar në këtë rajon. Ne jemi këtu, po punojmë ngushtë me qeveritë e Ballkanit Perëndimor për të çuar përpara objektivin tonë të përbashkët të integrimit europian, paqen, begatinë dhe stabilitetin”, u shpreh Palmer.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë