Futboll

Nxehet merkato, tre goditje nga Barça, Milan dhe Çelsi

Jemi futur në javën e fundit të merkatos së dimrit dhe ekipet po nxitojnë që të mbyllin marrëveshjet. Brenda një dite janë bërë tre zyrtarizime të rëndësishme nga Barcelona, Milani dhe Çelsi. Higuain në Premier Ligë te Çelsi, Piatek te Milani dhe De Jong në Barcelonë, të treja këto blerje u bënë në orët e vona të së mërkurës.

Barcelona merr De Jong për 80 milionë euro

Pas disa goditjeve “low cost” Barcelona ka bërë investimin e parë të rëndësishëm për këtë merkato. Katalanasit e kanë mbyllur marrëveshjen me talentin holandez, Frank De Jong. Për 21-vjeçarin Barcelona do të paguaj plot 75 milionë euro në arkat e Ajaksit. Ka qenë vetë presidenti katalanas Bartomeu që prezantoi mesfushorin holandez me fanellën “blaugrana”. Frank De Jon, i cilësuar si një nga talentet më premtues të futbollit europian do ta mbyllë këtë sezon në Holandë dhe duke filluar që nga 1 korriku do t’i bashkohet Barcelonës nën urdhrat e Ernesto Valderdes.

Higuain bashkohet sërish me Sarrin

Pas disa javëve tratativa dhe lajme pa fund, Gonzalo Higuain është transferuar te Çelsi në Premier Ligë. Sulmuesi argjentinas ka lënë Milanin vetëm pas gjashtë muajve, duke dështuar të jap më të mirën e tij. Ai do të jetë në formën e huazimit në Premier Ligë dhe në fund të sezonit do të vendoset nëse do të transferohet përfundimisht te Çelsi apo do të rikthehet në Itali, ku vijon të jetë një lojtarë në pronësi të Juventusit.

Milan firmos me “fenomenin e ri” Piatek

Menjëherë pasi u largua Higuain, ashtu siç pritej vendin e tij te Milani e zuri, Kristof Piatek. Sulmuesi polak ka firmosur mbrëmjen e së mërkurës. Marrëveshja është mbyllur për shifrën e 35 milionë eurove dhe tashmë Milan do të ketë në majën e sulmit golashënuesin më të mirë të kampionatit italian deri në këto momente. 23-vjeçari ka firmosur me klubin kuqezi një kontratë për katër vitet e ardhshme, ku pritet të përfitojë një rrogë prej 2 milionë eurosh në sezon. Milan kështu ka dalë disi i fituar nga ky ndryshim, pasi me Piatek kursen më shumë se 5 milionë euro rrogë vjetore në krahasim me atë që merrte Higuain.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë