Futboll

Nxehet merkato, Partizani zyrtarizon një afrim dhe një largim të rëndësishëm

Merkato ka filluar të nxehet në radhët e Partizani. “Klubi i kuq” këtë të mërkurë ka zyrtarizuar dy lëvizje të bujshme në dalje dhe në hyrje. Me ekipin e Franko Lerdës është bashkuar talenti i dalë nga radhët e Kastriotit, Julian Shehu. Ndërsa është bërë zyrtare largimi përfundimtar i mbrojtësit Sodiq Atanda.

Shehu është afrimi i tretë në radhë për Partizanin në këtë merkato vere. Pas Hakajt dhe Kordeiros, mesfushori 20-vjeçar vjen si një përforcim për të ardhmen, por edhe për të tashmen, pasi ai është një lojtar i konfirmuar i kampionatit tonë. Mesfushori luajti në 31 ndeshje këtë sezon me Kastriotin, teksa arriti të shënonte 4 gola. Sipas portalit të transferimeve, “transfermarkt” vlera e Sheut tashmë ka shkuar në 125 mijë euro. Në ditët në vijim pritet dhe një tjetër afrim për Partizanin, teksa mësohet se janë disa lojtarët në provë në grumbullimin e Sllovenisë, që Lerda po i shikon nga afër.

Sakaq sa i përket mbrojtësit Atandës, ai ishte i larguar prej disa ditësh nga Partizani dhe pritej vetëm zyrtarizimi. Mbrojtësi afrikan që ishte një nga pikat më të forta të Partizanit në sezonin që u mbyll, ka firmosur në Izarel me ekipin Hapoel Kfar Saba. Atanda u largua nga Partizani, pasi nuk u gjet gjuha e përbashkët për sa i takon termave financiar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë