Shendet

Numri i ulët i testeve të koronavirusit, OBSH: Duhet që fillimisht të plotësohen disa faktorë

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka reaguar sot lidhur me debatin se përse nuk bëhen testet për koronavirus për të gjithë ata që dyshojnë se janë prekur. Zyra e OBSH-së në Tiranë, sqaron se më parë duhet të plotësohen disa faktorë klinikë.

“Në këtë drejtim, ne duam të theksojmë se vendimi për t’u testuar për COVID-19 duhet të bazohet në faktorë klinikë dhe epidemiologjikë, dhe që janë të ndërlidhur me një vlerësim të mundësisë për t'u infektuar. Testimi PCR i kontakteve asimptomatike ose lehtësisht simptomatike mund të konsiderohet në vlerësimin e individëve që kanë pasur kontakt me një rast COVID-19. Protokollet e depistimit duhet të përshtaten me situatën lokale”, shkruan OBSH.

Zyra e OBSh-së në Shqipëri përgëzon edhe qytetarët shqiptarë për bashkëpunimin në zbatimin e masave të marra nga Qeveria për të siguruar distancimin shoqëror. “Këto masa janë tanimë mjeti më i fuqishëm që, të gjithë bashkë, kemi për të kapërcyer këtë krizë.”

Pas njoftimit të zyrës së OBSH-së në Tiranë, një reagim i dytë ka ardhur edha kryeministri Edi Rama.  Sipas kreut të qeverisë, Shqipëria sipas tij është në mesataren europiane.

"Së pari është ende herët për të qenë optimist apo entuziast. OBSH-ja para pak minutash ka bërë një deklaratë të qartë. Ne jemi në mesataren europiane përsa i përket testeve, jo më lart se para se të hyja këtu po lexoja një urdhër të autoriteteve zvicerane të cilat kanë deklaruar që nuk do të bëjnë teste për askënd nën 65-vjec, përveçse, besoj për ato raste që janë kritike”, thotë Rama. “Kjo është një histori që zhvillohet duke u bazuar te njëri tjetri, praktikat më të arsyeshme dhe duke u bazuar te Italia, në përpjekjen e saj thotë se mund të kishte bërë më shpejt. Si edhe patjetër edhe në rastin e Kinës, që studiohet në vijimësi. Kjo polemika mbi testet është e kotë, ne po bëjmë gjënë e duhur dhe këtë e konfirmon edhe deklarata e OBSH-së”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë