Futboll

Numrat fantastikë të 19-vjeçarit Haland, vikingu që po çmend Europën

Pak muaj më parë, Erling Braut Haland shënonte 9 gola në një ndeshje të vetme. I shënoi me fanellën e Norvegjisë ndaj Hondurasit, në kampionatin botëror të 20-vjeçarëve. Sulmuesi i datëlindjes 2000, aktualisht pjesë e Salcburgut, debutoi me 3 gola të martën në Champions, në fitoren 6-2 ndaj Genkut. Dhe të 3 golat i shënoi që në pjesën e parë, duke regjistruar numra fantastikë.

Haland, 19 vjeç, ka shënuar 17 gola në 9 ndeshje sezonale. Nuk ka shënuar vetëm ndaj Rapidit të Vjenës, javën e parë të kampionatit austriak. Vikingu bëri bujë me 9 golat ndaj Hondurasit në Botërorin e U-20, një rekord më vete, por ai ka vazhduar të shënojë sistematikisht. Të martën vendosi rekord sa u takon debutuesve në Champions, me 3 golat e shënuar në portën e Genkut brenda 45 minutash. Vetëm Uejn Runi në shtator të 2004-ës, pa mbushur 19 vjeç, ka bërë kaq mirë. Van Basten ka shënuar 4 gola ndaj Goteborgut në Kupën e Kampionëve, por kishte luajtur më parë edhe në ndeshjet eliminatore të këtij kompeticioni. Asprila, Jakubu, Iakuinta, Grafite dhe Brahimi janë lojtarë të tjerë që kanë impresionuar në debutim, por jo me këto numra.

Haland feston një gol ndaj Genkut në Champions. Gazeta Si, 18 shtator 2019

Nëse nuk ndalemi vetëm te ndeshjet e debutuesve, i pari që i ka djegur etapat ishte Raul i Real Madrid, në vitin 1995, në moshën 18 vjeç e 114 ditë. Në pjesë e dytë Haland u ndal dhe trajneri Marsh e ndërroi në minutën e 72-të, pasi është ende shumë i ri dhe duhet të rikuperojë energjitë. Napoli dhe Liverpuli, dy klubet big në grup, e kanë marrë paralajmërimin nga sulmuesi i Salcburgut.

Çfarë tip lojtari është Haland? Ai është djali i mbrojtësit Alf Inge Haland, që rreth viteve 1990-2000 luante në Premier League dhe në kombëtaren norvegjeze. Është i njohur për rivalitetin me Roi Kin, i cili i theu këmbën në një derbi të Mançesterit. Erling Braut ka lindur në Lids, në Angli, më 21 korrik 2000, kur i ati kishte kaluar te Mançester Siti. Është rritur te Bryne dhe ka debutuar në Serinë B të Norvegjisë pa mbushur 16 vjeç. Golat e parë i ka realizuar me Molden në elitën e futbollit norvegjez. Në janar të 2019-ës kaloi te Salcburgu për 5 milionë euro. Më 12 maj, në ndeshjen e parë si titullar, shënoi gol ndaj Lask Linz. Pastaj 9-golëshi i famshëm me Norvegjinë. Sezoni 2019-2020 nisi me një tripletë në Kupën e Austrisë dhe vazhdon të shënojë rregullisht.

Haland feston me tifozët e Salcburgut. Gazeta Si, 18 shtator 2019

Pika më e fortë e norvegjezit është lëvizja pa top, ai depërton, krijon korridore dhe shkëputet mirë me sprint. Mbrojtësit e humbin nga kontrolli dhe Haland rrallë fal me të majtën e tij kirurgjikale. Centimetrat, (1.94 i gjatë) e ndihmojnë në lojën në ajër dhe dyluftime. Por Haland luan mirë dhe në fushë të hapur, me një vrapim të jashtëzakonshëm për konstruktin e tij, që duket si një dollap kuadrat. E krahasojnë me Lukakun për nga tipologjia e sulmuesit, por që të martën ai e ka lënë pas, sepse belgu nuk shënoi, kurse ai ishte autori i një triplete.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë