Futboll

Numrat e favorizojnë, Piatek më i mirë se legjendat e Milanit

Është një emër i ri te Milan, pasi ende nuk e ka mbushur muajin që nga koha kur kaloi në Milano, por kaq ka mjaftuar që Kristof Piatek të rrëmbejë zemrat e tifozëve kuqezinj. Sulmuesi polak është kthyer menjëherë në një idhull për të gjithë ambientin milanist. Me të, Milani nuk njeh humbje dhe Liga e Kampionëve është një objektiv mëse i arritshëm. I ardhur nga Xhenova për të zëvendësuar Gonzalo Higuain, Piatek ka shkuar përtej pritshmërive.

Sipas një raporti të medieve italiane fillimi i Piatek është më i mirë se 6 sulmuesve legjendar të Milan. Dhe nuk bëhet fjalë për futbollistë të zakonshëm, por për ikona që te Milan kanë lënë gjurmë dhe kanë fituar tituj pa fund. Në 5 ndeshje Piatek ka shënuar 6 gola, 4 në Serinë A dhe 2 në Kupën e Italisë. Me këto numra, Piatek ka lënë pas Van Basten, i cili në 5 ndeshet e para me fanellën kuqezi kishte shënuar vetëm 5 gola, të gjithë në Kupën e Italisë. Edhe legjendat e tjera si, Ueah, Birof, Shevçenko, Inzagi apo Ibrahimoviç nuk kanë bërë më mirë se Piatek në 5 ndeshjet e tyre të para me Milanin.

Pra me këto shifra Piatek ka një pikë më shumë në avantazhin e tij. Polaku pasi bëri për vetë të gjithë milanistët dhe po e çon “djallin” në Champions, ka në krahun e tij edhe shifrat që lënë pas legjendat e kësaj skuadre. Me këtë fillim ëndrrash, te Milan të gjithë urojnë që i njëjtë të jetë edhe vazhdimi për “El Pistolero”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë