Kombetarja

Nuk u lejua në “Elbasan Arena”, tifo-grupi kuqezi kërcënon FSHF-në

Pas ndeshjes miqësore me Joradinë, FSHF-ja ka marrë një kërcënim të hapur nga njëri prej grupimeve të tifozëve të Kombëtares, “Illyrian Elite”. Një grupim i njohur për të, sidomos pas trazirave të shkaktuara në stadiumin e Palermos. Në ndeshjen e radhës ky grupim ka paralajmëruar trazira, pasi pjesëtarët e tij nuk janë lejuar të futen në stadiumin “Elbasan Arena” për të përkrahur ekipin kuqezi në miqësoren me Jordaninë. Zemërimi i anëtarëve të këtij tifo-grupi ka qenë i madh dhe në faqen e tyre në facebook është bërë një postim kërcënues për Federatën Shqiptare të Futbollit.   

“F$HF Mafia sot e teprove‼ Anëtarëve tanë ju është ndalur hyrja në stadium. Arsyen askush nuk e di, thjesht emrat janë të papranueshëm për federatën tonë. Duke qenë se ata zgjodhën të veprojnë në këtë mënyrë, presim ndeshjen e radhës t’ju tregojmë kush jemi. Me të mirë nuk deshët, tani mbani pasojat”.

Postimi i "Illyrian Elite" mbrëmjen e së mërkurës

Kjo është përmbajtja e postimit të “Illyrian Elite” për FSHF-në. Ndeshja e radhës është të dielën në Izrael dhe për të shmangur çdo të papritur të pakëndshme, drejtuesit e federatës duhet të marrin masat. Grupimi “Illyrian Elite” u bë i njohur për incidentet që shkaktoi në 2017-ën në ndeshjen Itali-Shqipëri, 2-0, në stadiumin e Palermos. Në atë kohë u hodhën flakadanë dhe tymues në fushë, duke shkaktuar ndërprerjen e ndeshjes për rreth 10 minuta. Për këtë ngjarja Shqipëria u gjobit nga FIFA.

Federata Shqiptare e Futbollit vendosi në atë kohë që ”Illyrian Elite” të përjashtohej përjetësisht nga ndeshjet e Kombëtares, por ky grupim e ka sfiduar institucionin që drejton futbollin në vendin tonë, duke u shfaqur në disa stadiume. Rasti i fundit ishte ai i ndeshjes me Maqedoninë në Strumica. Për miqësoren me Jordaninë pjesëtarët e këtij grupimi nuk ia dolën të futen në stadium, pasi u ndaluan nga policia dhe tani po përgatisin hakmarrjen. “Illyrian Elite” është një grupim i krijuar nga disa tifozë, të cilët u shkëputën nga grupimi i madh “Tifozët kuqezi”, për shkak të mosmarrëveshjeve me drejtuesit e tij.  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë