Tokio 2020

“Nuk ndeshem me një izraelit”, xhudisti algjerian tërhiqet nga Lojërat

"Kundër një izraeliti nuk garoj". Me këtë shpjegim, Fethi Nourine, xhudisti algjerian që duhej të garonte në kategorinë 73 Kg, ka vendosur të tërhiqet dhe të lërë Lojërat ende pa i nisur. Kundërshtari i Nourine në turin e dytë duhej të ishte izraeliti Tohar Butbul.

Lajmi është konfirmuar edhe nga trajneri Amar Ben Yekhlef: "Nuk patëm fat në short, - ka komentuar ai. – Xhudisti ynë Fethi Nourine duhej të përballej me një kundërshtar izraelit dhe kjo është arsyeja e tërheqjes së tij. Kemi marrë vendimin e duhur".

Në turin e parë, kalendari e vinte algjerianin përballë sudanezit Mohamed Abdalrasol, një rival i kalueshëm dhe ishte thuajse e sigurt që Nourine do të ndeshej me Tohar Butbul më pas. "Kemi punuar shumë për të shkuar në Olimpiadë, por kauza palestineze është me madhe se gjithçka tjetër”, - ka thënë xhudisti algjerian, duke theksuar se vendimi i tij është final.

Nuk është hera e parë që Nourine tërhiqet nga një kompeticion për të mos u ndeshur me një izraelit. E ka bërë më parë edhe në Botërorin e 2019-ës, edhe në atë rast duhej të ndeshej me Tohar Butbul. Në Botërorin e 2019-ës, iraniani Saeid Mollaei u rebelua, sepse nuk donte të ndeshej me izraelitin Sagi Muki dhe humbi qëllimisht në gjysmëfinale ndaj belgut Mathias Case. Më pas shkoi në Gjermani për të evituar ndëshkimin e mundshëm nga qeveria.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë