Futboll

Nuk mjaftojnë 7 afrime, Tare ka gati edhe dy goditjet e radhës

Gazeta Si – Sprinti final në merkaton e Lacios. Nuk mjaftojnë 7 blerjet e deritanishme, me Vesinon të fundit. Igli Tare po përgatit edhe dy goditjet e fundit për të kënaqur plotësisht trajnerin Sarri.

Kishte shumë për të bërë dhe shumë është bërë. Megjithatë, te Lacio nuk kënaqen dhe duan ta kompletojnë grupin edhe me të paktën dy lojtarë të tjerë. Tare po punon fort për Provedel dhe Emerson Palmierin.

Emerson Palmieri. Gazeta Si, 2 gusht 2022

Për Provedel situata mund të zhbllokohet nga momenti në moment. Specia po kërkon një zëvendësues, ndërsa vetë lojtari po insiston për t’u transferuar në Romë, ku do të diskutojë vendin e titullarit me Maksimiano. Sa më parë të bashkohet me Lacion, aq më mirë është për të.

Ndryshe është situata për Emerson Palmierin. Mbrojtësi anësor do të vinte nga Çelsi në huazim, por duhet të pranojë një pagë më të ulët se ajo në Londër (4.5 milionë euro). Emerson do të kthehej me qejf të luante për Sarrin te Lacio, do të ishte titullar i palëvizshëm.

Për momentin në të majtë luajnë Hysaj dhe Marusiç, të dy të adaptuar. Lacio dhe Tare duan që ta mbyllin akordin para datës 14 gusht, që të shkojnë në ndeshjen e parë të kampionatit me merkato të përfunduar. Pastaj mund të shfrytëzohen javët e fundit për ndonjë okazion.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë