Futboll

Nuk këndon himnin për protestë ndaj Trump, kryqëzohet futbollistja e Amerikës

Në Francë po zhvillohet Botërori i futbollit për femra dhe Amerika është një nga skuadrat më të forta, favorite për të fituar kupën. Ndeshjen e parë në këtë kompeticion të rëndësishëm, atë ndaj Tailandës, e fitoi me rezultatin e thellë, 13-0. Për këtë ndeshje ka pak për thënë sa i takon anës sportive, ndërkohë që gjithë vëmendjen e ka marrë një episod, që ka sjellë shumë diskutime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Megan Rapinoe, një nga futbollistet titullare të ShBA-ve, qëndroi në heshtje, kur gjithë shoqet e saj po këndonin himnin. Futbollistja e Siatëllit kishte dhënë fjalën se nuk do ta këndonte himnin dhe kështu bëri. Sipas asaj që bën me dije “Daily Mail”, Rapinoe nuk e këndoi himnin në shenjë proteste ndaj presidentit të Amerikës, Donald Trump, për trajtimin që ai u bën minorancave. Ajo është prej kohësh aktiviste e LGBT dhe vendimin e saj e kishte shprehur para Botërorit të Francës, në një intervistë për “Yahoo Sports”. “Me shumë mundësi, nuk do ta këndoj më kurrë himnin kombëtar. Është një lloj proteste ndaj administratës Trump për mënyrën si sillet me ata që mendojnë ndryshe”, – ka thënë Rapinoe, e cila e mbajti fjalën, ndërsa në ndeshjen e parë të Botërorit nuk mungoi firma e saj.

Megan Rapinoe me fanellën e Amerikës

Sigurisht, nuk kanë munguar kritikat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për gjestin futbollistes së kombëtares, që është parë si një gjest pak patriotik. “Megan Rapinoe duhet të largohet nga kombëtarja për mungesë patriotizmi. Pse luan për një komb që e urren?”, – shkruanin tifozët në rrjetet sociale. Mesazhi i shimicës ishte i qartë: Megan Rapinoe nuk duhet të veshë fanellën e ekipit kombëtar, nuk duhet të luajë për SHBA-të, nëse nuk e respekton vendin. Ka pasur edhe nga ata që janë përqendruar tek arsyeja pse futbollistja e ka bërë këtë veprim. Ndryshe nga shumë sportistë të tjerë, që në të kaluarën i janë përulur himnit kombëtar, edhe kur kanë dashur të protestojnë, Rapinoe nuk ka mundur. Rregullat e reja në Amerikë kërkojnë që të mbahet një qëndrim korrekt kur këndohet himni, por nuk detyrojnë askënd që ta këndojë atë. Kështu ka ardhur kjo protestë e heshtur, por shumë e …zhurmshme!

 

Më Shumë