Rend dhe Ligj

Nuk ka liri për Izet Haxhinë, të akuzuarit për vrasjen e Azem Hajdarit

Gjykata e Apelit në Tiranë ka lënë në fuqi vendimin e të Gjykatës së Shkallës së Parë për lënien në burg të Izet Haxhisë. I akuzuari për vrasjen e liderit të Lëvizjes së Dhjetorit ‘90, Azem Hajdari, apeloi vendimin e Gjykatës së Tiranës me pretendimin se i ka plotësuar vitet e vuajtjes së dënimit, por sërish nuk u lirua. Gjatë seancës gjyqësore, i pandehuri kërkoi nga gjykatësit që të japin vendime të drejta, pasi sipas tij çështja po trajtohet politikisht.
“Unë nuk i jam shmangur drejtësisë. Për t’u përballur me drejtësinë vendosa të kthehem në Shqipëri dhe të mësoj akuzat. Kërkoj nga ju të jepni vendime të drejta dhe të jeni të paanshëm, pasi çështja ime po trajtohet politikisht”, tha Haxhia. Avokati i tij tha se Haxhia i ka plotësuar vitet e vuajtjes së dënimit, pasi duhet t’i llogaritet koha e qëndrimit në burg në Turqi dhe në Shqipëri.
“Atë provë që kemi marrë nga Turqia dhe sot nuk arritëm dot, për shkak se nuk ishte e përkthyer në formën e kërkuar nga ligji, për arrestin e tij shtëpiak që ka bërë 8 vite në Turqi, do ta përkthejmë, do ta noterizojmë dhe shumë shpejt do të bëjmë një kërkesë tjetër”, tha Avokati Idajet Beqiri.
Haxhia akuzohet për vrasjen për shkak të cilësisë së viktimës dhe në kushtet kur Azem Hajdari në momentin e vrasjes ishte deputet, çështja zgjidhet në Gjykatën për Krime të Rënda.
Seanca e radhës me rigjykimin në themel të çështjes është caktuar më 20 shtator.
Izet Haxhia ishte gjykuar dhe dënuar në mungesë me 25 vite burg si bashkëpunëtor në vrasjen e Azem Hajdarit. Ai u arrestua në Turqi në vitin 2006 dhe u ekstradua në Shqipëri më 8 maj të 2018 ku kërkoi rigjykim të çështjes, gjë që u pranua. Në listën e dëshmitarëve Izet Haxhia kërkon edhe dëshminë e ish-presidentit dhe ish-kryeministrit Sali Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë