Futboll

Nuk ka blerje, Skënderbeu me sy nga të rinjtë e akademisë

Nuk ka më blerje të bujshme dhe afrime lojtarësh pa asnjë kursim, Skënderbeu i këtij sezoni mendohet për çdo hap që hedh. Skuadra korçare deri më tani ka bërë vetëm një afrim në merkato, serbin Elmir Asani. Edhe pse nevojat e ekipit të Orges Shehit janë të shumta në disa reparte, klubi ende nuk ka ndërhyrë me afrime. Pas dëmtimeve të Bregut, Demte, por edhe të Bruno Lulajt situata tek Skënderbeu është bërë edhe më emergjente.

I gjendur në këtë situatë, me shumë mungesa dhe pa shumë merkato, trajneri Orges Shehi është i detyruar që të hedhë sytë nga akademia. Gjatë gjithë kohës ekipet e moshave të Skënderbeut kanë qenë nën fokusin e Shehit, në stërvitjen e ditës së mërkurë, trajneri 41-vjeçar ka zgjedhur të afrojë në ekipin e parë Kosta Vangjelin. 18-vjeçari deri më tani ishte pjesë e ekipit u-19 dhe cilësohet si një talent shumë premtues.

Lajmin e afrimit të Vangjelit në ekipin e parë është njoftuar nga vetë klubi korçar përmes një postimi në rrjetet sociale.

https://www.facebook.com/kfsacademy/photos/a.486217691545622/1156381237862594/?type=3&theater

Vangjeli luan në pozicionin e mbrojtësit të djathtë dhe pritet që të ketë minuta në dispozicion, fillimisht në miqësore dhe më pas në Kupën e Shqipërisë kundër Besëlidhjes. Mësohet se Kosta Vangjeli mund të mos jetë i vetmi lojtarë i afruar në ekipin e parë nga akademia, pasi janë disa futbollistët e spikatur që në të ardhmen mund të vihen në urdhrat e Orges Shehit. Skënderbeu këtë fazë dimërore, ndryshe nga herët e tjera ka vendosur që ta zhvillojë në Durrës, duke mos u larguar jashtë vendit, ashtu siç e kishte bërë traditë në 8 vitet e fundit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë