Nga Ruben Avxhiu- Meqë kanë filluar arrestimet dhe deportimet për emigrantët pa dokumenta, disa këshilla për shqiptarët të cilët ndodhen në atë situatë. ICE (autoriteti i emigracionit në SHBA) ka të drejtë të kryejë arrestimet por edhe ju nuk jeni pa të drejta.
Ndonëse në qendër të sulmeve thuhet se janë ata që kanë bërë krime këto janë situata ku “digjet i njomi me të thatin”.
Kur nisi Presidenti Barack Obama deportimet masive e pësuan shumë shqiptarë, të cilët jo vetëm nuk kishin bërë krime, por ishin njerëz prej vitesh me punë, shtëpi, madje edhe biznese solide.
Disa qindra shqiptarë pa dokumente janë vetëm një pikë uji mes milionave që kanë hyrë nga kufiri prej Amerikës Latine dhe mbarë botës. Por është punë fati dhe shpesh jo vërtet edhe aq punë fati.
Agjentët e Emigracionit në ato vite kishin kuota për të përmbushur dhe shpesh synuan njerëzit e sistemuar e të rregullt, që nuk kishin hyrë nga kufiri, por që u gjenden adresat lehtë.
Obama ishte demokrat dhe shumica e medias heshti. Në atë kohë ankesat tona, shumë prej të cilave u botuan edhe në gazetën “Illyria” nuk shkuan larg.
Kuota dhe agjentë nën presion nga shefat e tyre ka edhe sot. Mos u bëni viktimë e përtacisë dhe abuzimit nga agjentë të tillë.
Njihni të drejtat tuaja edhe nëse nuk keni dokumenta.
Ja shpjegimet që vijnë nga avokatë të emigracionit:
Të gjithë ata që jetojnë në Shtetet e Bashkuara, përfshirë dhe emigrantët pa dokumenta, gëzojnë disa të drejta të cilat ua garanton Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara. Nëse nuk keni dokumenta dhe agjentë të emigracionit (ICE) ju trokasin në derë, duhet të dini që gëzoni të drejtat në vijim:
-Nuk ju detyron askush të hapni derën: Nuk ju detyron askush të hapni derën apo të lejoni agjentët e emigracionit t’ju hynë në shtëpi, përveç rastit kur kanë një urdhër të vlefshëm bastisjeje të firmosur nga gjykatësi.
-Një urdhër deportimi nga ICE-i nuk është e njëjta gjë me një urdhër bastisjeje. Nëse ky është i vetmi dokument që kanë, me ligj ata nuk mund t’ju futen në shtëpi, përveçse kur ju vetë bini dakord me gojë që t’i lejoni të futen.
-Nëse agjentët e ICE-it ju thonë që kanë një urdhër bastisjeje të firmosur nga gjykatësi, kërkoni që ta fusin poshtë derës ose ta mbajnë të hapur tek dritarja në mënyrë që të mund ta shihni.
-Nëse urdhri nuk mban emrin dhe adresën tuaj të saktë si dhe nuk është firmosur nga gjykatësi, nuk jeni të detyruar të hapni derën ose t’i lejoni t’ju futen në shtëpi.
-Nëse në një moment të caktuar vendosni të flisni me agjentët në fjalë, mund ta bëni pa qenë nevoja të hapni derën. Mund të flisni përmes derës së mbyllur ose mund të dilni vetë jashtë duke mbyllur derën.
-Keni të drejtë të mos flisni. Nuk është e nevojshme të flisni me punonjësit e emigracionit ose t’i përgjigjeni pyetjeve të tyre.
-Nëse ju pyesin ku keni lindur ose si keni hyrë në Shtetet e Bashkuara, mund të refuzoni të përgjigjeni ose thjesht mos flisni.
-Nëse zgjidhni të mos flisni, deklarojeni këtë me zë “I choose to remain silent.” (Kam zgjedhur të mos flas.)
-Mund të refuzoni të tregoni dokumentat e identitetit të cilat tregojnë se nga cili vend jeni.
-Mos tregoni dokumenta të rremë dhe mos gënjeni.
-Keni të drejtën të flisni me një avokat. Nëse ju kanë ndalur ose ju kanë marrë në paraburgim, keni të drejtë të kontaktoni menjëherë një avokat ose të merrni një telefonatë nga avokati. Kërkoni një kopje të Detainee Handbook (manualit të të arrestuarit) për të kuptuar rregullat që lidhen me qendrën e paraburgimit.
-Madje edhe nëse nuk keni avokat, mund t’u thoni zyrtarëve të emigracionit që dëshironi të flisni me një avokat.
-Nëse keni avokat, keni të drejtë të flisni me të. Nëse keni një formular G-28 të firmosur që tregon që keni avokat, jepjani zyrtarit të emigracionit.
-Nëse nuk keni avokat, kërkoni nga zyrtari i emigracionit një listë të avokatëve që ofrojnë shërbim falas.
-Keni gjithashtu të drejtë të kontaktoni konsullatën e vendit tuaj. Konsullata mund t’ju ndihmojë të gjeni avokat.
-Mund të refuzoni të firmosni çfarëdolloj shkrese derisa t’ju jetë dhënë mundësia të flisni me një avokat.
-Nëse zgjidhni të firmosni diçka pa folur më parë me avokatin, përpara se të firmosni, sigurohuni që keni kuptuar egzaktësisht se çfarë thotë dhe nënkupton dokumenti.
-Keni të drejtën të flisni dhe të kërkoni t’i bëni një telefonatë falas anëtarëve të familjes apo miqve në rast se pas 10 ditëve, nuk keni të holla mjaftueshëm në llogarinë tuaj.
*Shkrimi është botuar në gazetën shqiptaro-amerikane Illyria nga gazetari Ruben Avxhiu, me kontributin e avokatit të çështjeve të emigracionit Kieran Both.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.