Ngjarje

1874 emigrantë shqiptarë rrezikojnë dëbimin nga SHBA pas urdhrit të Trump (dokumenti)

Nga Gazeta Si – 1874 emigrantë shqiptarë rrezikojnë të dëbohen nga Amerika pas urdhrit të presidentit Donald Trump për emigrantët.

Në një përgjigje që Drejtoria e Emigracionit dhe Doganave (ICE) ka dhënë për Fox News, është edhe lista e 1.4 milionë personave që rrezikojnë dëbimin, listë që është përpiluar në nëntor të 2024. Mes vendeve ndodhet edhe lista me qytetarët shqiptarë.

Ndërkohë, nga Kosova janë 118 qytetarë që rrezikojnë dëbimin, 341 nga Maqedonia e veriut dhe 355 nga Italia.

Shifra prej 1.4 milionë përfshin personat që u është shqyrtuar çështja dhe kanë urdhër përfundimtar largimi dhe persona që janë në procedurë dëbimi.

Dokumenti i publikuar nga Fox News pasqyron të dhëna nga nëntori i vitit 2024, të cilat thuhet se do të gjejnë zbatim edhe gjatë fushatës anti-emigracion të presidentit Trump.

Dokumenti zbulon se këta qytetarë shqiptarë janë aktualisht në dosjen e personave që nuk janë në paraburgimet e ICE-së.

Nga 1.4 milionë emigrantë të paligjshëm në SHBA, 261, 651 prej tyre rezultojnë me origjinë nga Honduras, 253, 413 nga Guatemala, 252,044 nga Meksika dhe 203,822 nga El Savador.

Në një shënim shoqërues, ICE tha se nuk është në gjendje të japë arsye specifike për rastet, por ka disa arsye pse ICE mund të mos jetë në gjendje t’i largojë disa emigrantë me urdhra përfundimtarë të dëbimit. Ato përfshijnë apelimet dhe ata të cilëve u është dhënë një formë tjetër e mbrojtjes nga dëbimi.

“Shtetasit e huaj mund të ndjekin një formë lehtësimi ose mbrojtjeje nga largimi, e cila mund të përfshijë azilin, ndalimin e largimit ose mbrojtjen sipas Konventës Kundër Torturës. Nëse një qytetari joshtetas i jepet ndonjë formë lehtësimi nga largimi, ICE nuk është në gjendje të zbatojë largimin”, thuhej në shënim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë