Kosova

‘Nuk i besojmë vjedhjes së dokumentave’/ Daçiç: Do të kërkojmë ekstradimin nga Gjermania edhe të vëllait të Faton Hajrizit

Nga Gazeta ‘Si’- Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç, ka thënë se Serbia do të kërkojë nga Gjermania ekstradimin e Artan Hajrizit, vëllait të Faton Hajrizit, i cili sot u vra në një aksion të policisë serbe në afërsi të Lloznicës.

Kështu ka thënë Daçiç për televizionin publik të Serbisë, duke shtuar se nuk i beson historisë me vjedhje të dokumenteve të vëllait në Gjermani. Faton Hajrizi në orët e para të së enjtes vrau policin në Serbi.

Policia bëri të ditur se në vendngjarje u gjet një pasaportë e lëshuar në Kosovë në emër të Artan Hajrizit (1991) dhe një letërnjoftim i tij gjerman. Artan Hajrizi deklaroi të enjten për mediat në Kosovë se ndodhej në Gjermani dhe se vëllai i tij, Fatoni, i kishte vjedhur pasaportën pas arratisë.

Por Daçiç pretendon se gjithçka ishte e dakorduar dhe se Artani ia ka dërguar dokumentet vëllait të tij Fatonit.

“Nuk është fundi, ne kemi arrestuar tashmë të gjithë personat që kanë lidhje me këtë ngjarje. Ai kishte marrëveshje nga Presheva për ta transferuar në Lloznicë, e më pas në BeH”, ka thënë Daçiç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë