Kosova

Novosti: Lajçak, Escobar dhe 3 emisarë të BE vizitë në Serbi për të kritikuar Vuçiç

Nga Gazeta 'Si' - “Pesëshja e fuqishme”, është termi që media serbe “Novosti” përdor për të treguar se një delegacion i përbërë nga i dërguari i BE për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, Gabriel Escobar nga SHBA-të dhe emisarët e liderëve të Francës, Gjermanisë dhe Italisë do të vizitojnë Beogradin brenda muajit tetor.

Novosti zbulon se vizita e delegacionit SHBA-BE, do të shtojë presionin mbi Aleksandër Vuçiç, duke i kërkuar presidentit serb që të vendosë sanksione ndaj Rusisë, si dhe të zbatojë plotësisht Marrëveshjen e Ohrit, të cilën nuk e ka nënshkruar.

Ajo shkruan se BE-ja pas ngjarjeve në Banjskë e drejton gishtin e fajit nga Serbia ndaj pritet që pesëshja e lartpërmendur ta shfrytëzojë ngjarjen e rëndë të Banjskës për të detyruar Vuçiçin që të bashkëpunojë.

Turi i ri i delegacionit të BE-SHBA është planifikuar pas ngjarjeve në manastirin e Banjskës, me Serbinë që pritet t’i “tërhiqet veshi” nga perëndimorët, pasi doli hapur si agresore në Veri.

Për ngjarjet në fjalë kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka akuzuar Serbinë si financuese dhe dirigjente të sulmit, duke kërkuar që Beogradi të sanksionohet ndërkombëtarisht.

“Sulmi terrorist në Banjskë kërcënoi integritetin territorial, sovranitetin shtetëror dhe sigurinë kombëtare të Kosovës”, është shprehur ai.

Ekipi i përmendur prej pesë anëtarësh ishte për herë të fundit në Serbi më 20 janar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë