Gazeta Si - Në përfundim të protestës 3-orëshe të opozitës, Flamur Noka, dha një mesazh përmbyllës në afërsi të ish-sheshit “Shqiponja”, një nga pikat e bllokuara që prej orës 17:00.
Deputeti demokrat u shpreh i kënaqur me tubimin e sotëm, duke theksuar se opozita ia arriti qëllimit dhe falënderoi qytetarët që morën pjesë në protestën e kryeqytetit dhe në qytetet e tjera.
“Sot, ishte një ditë e jashtëzakonshme! E gjithë Shqipëria në duart e opozitës, dua të falënderoj të gjithë të rinjtë e të rejat, qytetarët që iu bindën thirrjes në këtë hap të mosbindjes civile. Dua të falënderoj po ashtu qytetarët shqiptarë në përgjithësi, që shmangën përplasjen në këtë ditë dhe iu bindën thirrjes së opozitës me heshtjen e tyre, duke qëndruar në shtëpitë e tyre. Ditë e zezë për narko-regjimin dhe bandat e pushtetit. Të tmerruar kanë sjellë narko-policinë në çdo kryqëzim".
Noka u shpreh se Partia Demokratike do njoftojë për çdo lëvizje në ditët vijuese. “E shmangëm sot, por nuk e shmangim gjithmonë! (referuar zhvendosjes së protestës drejt Surrelit). Do ju njoftojmë për hapat e radhës, për një gjë të jeni të sigurt që kthim pas nuk ka”, përfundoi ai.
Bë kidhje me përplasjen me policinë, Sekretari i Përgjithshëm i PD, theksoi: "Me këtë sjellje të tyre, ata treguan se janë në panik dhe mosbindja civile ka filluar të japë frytet e veta. Qëndresa, rezistenca jonë do të vazhdojë. Mosbindja civile do jetë ajo që do i sjellë zgjidhje Shqipërisë dhe shqiptarëve. Qeveria teknike është e vetmja zgjidhje për Shqipërinë dhe shqiptarët. Kthim pas nuk ka, qëndresa dhe rezistenca do japin frytet e saj”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.