Kosova

‘Njohje de facto ose de jure e Kosovës’/ Vuçiç tregon kërkesat e ndërkombëtarëve për Serbinë

Nga Gazeta ‘Si’ - Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, iu drejtua sot qytetarëve nga Presidenca, pas pjesëmarrjes në dy samitet në Tiranë.

Sipas mediave serbe ai deklaroi se në muajt e ardhshëm do të ketë më shumë presion ndaj Serbisë sesa ndaj shqiptarëve dhe foli për tre kërkesat e Perëndimit ndaj Serbisë.

“E para është njohja de facto ose de jure e Kosovës. Gjithashtu edhe heqja dorë nga Republika Srpska. Është e rëndësishme të heqim dorë nga Republika Srpska dhe vetëm kur të heqim dorë do të jemi mirë. 

E dyta është vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë dhe një qëndrim i fortë kundër Kinës", deklaroi ai ndërsa shtoi se Serbisë po i bëhet presion nga grupe të ndryshme që veprojnë të sinkronizuara, të cilat, siç tha ai, duan kthimin e regjimit të vjetër “kukull” të cilin mund ta menaxhojnë.

"Duan të kemi një regjim kukull në Serbi siç e kishim deri në vitin 2011. Ata në fakt duan rikthimin e regjimit të vjetër, që e kontrollonin si kukullat në teatër që mund t'u thuash çdo gjë dhe ata do të bëjnë gjithçka”, tha Vuçiç.

Mes të tjerash ai foli edhe në lidhje me vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës mbi dinarin serb dhe deklaroi se Serbia do të gjejë mënyra të tjera alternative për të dërguar tek serbët e Kosovës para, me anë të pensioneve dhe pagave.

Ai tha se situata për dinarin në Kosovë nuk është përmirësuar apo ndryshuar për mirë në asnjë mënyrë pavarësisht përpjekjeve të përfaqësuesve ndërkombëtarë dhe shtoi se presioni ndaj serbëve në Kosovë e do të rritet.

“Unë jam shumë i shqetësuar për situatën në Kosovë. Në periudhën në vijim do të detyrohemi të marrim vendime të ndryshme me të cilat do të gjejmë zgjidhje alternative për të dërguar paratë, që janë paga e pensione për njerëzit tanë në Kosovë. Askush nuk po ngutet për këtë çështje”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë