Futboll

Njeriu më i pasur i Kinës, gati të blejë Interin

Shumë shpejt do të kemi një Inter 100% kinez. Pas kompanisë Suning, që zotëron diçka më shumë se 65% të aksioneve të klubit zikaltër, një tjetër kompani kineze pritet t’i bashkohet grupit të aksionerëve të Inter. Këtë herë bëhet fjalë për një gjigand botëror, siç është kompania Alibaba Expres. Pronari i kësaj kompanie, Jack Ma është mik i ngushtë me pronarin e kompaninë Suning, Zhang Jindong. Nisur nga ky raport i ngushtë mes të dyve, mediet italiane kishin folur edhe më herët për një përfshirje të Jack Ma te Inter, por konfirmime kishin munguar.

Por mëngjesin e kësaj të marte në Itali, mediet shkruajnë se akordi për të përfshirë edhe kinezin më të pasur në botë, si aksioner te Inter, është drejt finalizimit. Jack Ma para disa javësh pati një takim me Jindong dhe Erik Tohir, për t’ia blerë këtij të fundit 31% të aksioneve që mban ende te Inter. Shifra që Alibaba pritet të paguaj për të marrë aksionet e Tohir mund të shkojë deri në 150 milionë euro. Për miliarderin tajlandez që e bleu Interin në vitin 2013 për shifrën e 270 milionë eurove, ky pritet të jetë një biznes me shumë leverdi, pasi ai del me një përqindje të lartë fitimi. Tohir që pas shitjes së shumicës së aksioneve te Suning u tërhoq, duke i lënë rolin e protagonistit kompanisë kineze, e cila tashmë ka filluar ta ringrejë klubin zikaltër që fillimisht u kualifikua në Champions dhe tashmë po përgatitet që sezonin e ardhshëm të rivalizojë për titullin kampion.

Sakaq kjo futje e Jack Ma në bordin e aksionerëve të Inter, pritet të jetë një tjetër pikë e fortë që i bën bashkë dy nga njerëzit më të pushtetshëm ekonomikisht në Kinë. Jindong dhe Jack Ma kanë disa lidhje biznesi me njëri tjetrin. Zhang zotëron rreth 1% të aksioneve të Alibaba, ndërsa Ma ka afro 20% të aksioneve të Suning. Me futjen në mes të një kompanie si Alibaba, kapitali i së cilës është një nga më të mëdhatë në botë edhe për Interin priten ndryshime radikale. Edhe pse nuk besohet që ndryshimet të jenë të menjëhershme, pritet që në verë, Inter të ketë një verë merkatoje të nxehtë. Por blerjet do të ndikohen shumë edhe nga rezultat në fushë të ekipit, pasi pronarët kinezë deri më tani e kanë treguar se nuk janë të gatshëm për të bërë çmenduria financiare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë