Ngjarje

Një vit nga vrasja e Klodian Rashës, babai: Të gjendet kush ia vendosi armën pranë trupit, para se ta bëj vetë!

Një vit pas vrasjes së të riut Klodian Rasha (8 dhjetor 2020), i cili u qëllua nga punonjësi i policisë, Nevaldo Hajdaraj, pasi nuk iu bind urdhrit për të ndaluar për shkak të shkeljes së orës policore të vendosur për Covid 19, familjarët e tij kërkojnë që të hetohen personat që sipas tyre tentuan ta inkriminojnë, duke i vendosur një pistoletë pranë vendit të ngjarjes.

Babai i tij, Qazim Rasha, tha se uron që askujt të mos i ndodhë një tragjedi e tillë, ndërsa ka kërkuar nga shteti zbardhjen e ngjarjes dhe të gjejë personin që ka vendosur armën pranë të birit të vrarë.

Sipas babait të Klodianit, për të mbuluar krimin, u munduan të përbaltin figurën e djalit të tij, duke e “quajtur fëmijën edhe kriminel”.

Ai paralajmëroi se nëse shteti nuk e vendos drejtësinë në vend, një gjë të tillë do ta bëjë vetë. “Atë vendosjen e armës aty bën mirë që shteti ta gjejë e ta çojë sa unë s’kam vendosur akoma për ta gjetur vetë”.

“Lus zotin që të tilla tragjedi  të mos ekzistojnë në asnjë vend të botës, mua më plagosi shpirtin, mua më ndau zemrën, kjo ka qenë arsyeja që ditën e parë që iu kam kërkuar që këtë lloj plage të mos e imagjinojë askush. Të tilla tragjedi të mos ketë asnjë familje asnjë qenie njerëzore”, - u shpreh ai në një deklaratë për mediat.

Polici Nevaldo Hajdaraj vrau me pistoletën e shërbimit Klodian Rashën në orët e para të mëngjesit të 8 dhjetorit, ndërsa e qëlloi nga një distancë prej 5 metrash largësi. 

Hajdaraj u arrestua menjëherë, fillimisht me akuzën e vrasjes në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme, por hetimet zbuluan se vrasja është bërë me dashje dhe se mund të ishte evituar.

Vrasja e Rashës pasoi një valë protestash dhe tensionesh politike, duke çuar edhe në dorëheqjen e ish-ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj. 25-vjeçari Rasha u shpall Dëshmor, ndërsa familjes iu propozua lidhja e një pensioni të përhershëm nga qeveria, gjë që u refuzua.

Ndërkohë, Nevaldo Hajdaraj u dënua me 15 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai përfitoi uljen e një të tretës së dënimit dhe do të vuajë vetëm 10 vite burg.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë