Futboll

Një sindikatë për të drejtat e futbollistëve, Andi Lila në krye

Në një nga momentet më të këqija të kampionatit shqiptar, ku Superliga rrezikon të shtyhet për shkak të problemeve që kanë disa ekipe dhe situatës shumë negative financiare, ka një dritë shprese. Është një organizim i ri që lindnë futbollin shqiptar, siç është Sindikata e Futbollistëve Profesionistë Shqiptarë.

Ky institucion risi në futbollin tonë është themeluar dje për herë të parë me iniciativën e disa futbollistëve të spikatur të kampionatit tonë për edhe të kombëtares. Andi Lila, Tefik Osmani, Fatjon Sefa, Ditmar Bicaj dhe disa futbollistë të tjerë të spikatur të kampionatit tonë që luajnë në nivele të ndryshme kanë hedhur firmat për ngritjen e këtij institucioni. Në mbledhjen e mbajtur të dielën, Lila ishte ai që foli i pari dhe që duket se ka marrë përgjegjësitë më të mëdha. Mbrojtësi i kombëtares e cilësoi këtë akt si një ditë të re për futbollin tonë dhe shpresë për futbollistët tanë profesionistë.

“Sot u mblodh Asambleja e Përgjithshme e Sindikatës së Futbollistëve Shqiptarë! Me besimin në Zot sot ka lind një ditë e re për futbollistët shqiptarë! Tani jemi më të bashkuar dhe zëri jonë është më i fortë dhe më i qartë!”

Më herët ne kemi pasur një sindikatë të trajnerëve shqiptarë dhe të arbitrave, të cilat për hir të së vërtetës nuk kanë arritur deri më tani që ta thonë zërin e tyre dhe më shumë janë bërë vegla që FSHF i përdor si do dhe kur ajo do. Kjo organizatë e re në futbollin tonë ngrihet me shpresën se do të jetë në krahë të atyre që zbresin në fushë, por që deri më tani kanë qenë më të pambrojturit.

Ndër detyrat e para që kjo sindikatë e futbollistëve do të ketë, ka të bëjë me mbrojtjen e të drejtave të futbollistëve dhe përfitimit nga ana e tyre e të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Por edhe korrektësia në dhënien e rrogave për futbollistët që luajnë në futbollin tonë, pritet të jetë një sfidë për këtë organizëm të ri. Për pjesën e terreneve sportive, përmirësimin dhe mbrojtjen e tyre nga sindikata pritet vetëm një ngritje zëri, pasi në këtë pikë nuk kanë shumë në dorë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë