Gazeta Si – Azgan (Asllan) Mërnica, autori i vrasjes së policit Novruz Cenalia në Fier, është ende në arrati, ndërsa mbeten ende mister arsyet e ekzekutimit të tij një ditë më parë në fshatin Baltëz të Fierit.
Pasi qëlloi me një plumb në kokë efektivin që po shkonte të merrte shërbimin, 23-vjeçari u largua nga vendi i ngjarjes. Burimet bëjnë me dije se kontrollet gjatë natës janë përqendruar në zonën Sulaj, Havaleas dhe Apoloni.
Policia ka dyshime se pasi braktisi makinën pranë vendit të vrasjes në fshatin Baltëz, autori është larguar me këmbë drejt fshatit Havaleas dhe më pas në Apoloni.
Deri më tani janë shoqëruar në polici 12 persona për ngjarjen, familjarë të autorit të cilët janë marrë në pyetje nëse kanë dijeni për vendndodhjen e 23-vjeçarit.
Policia ofron 30 mijë euro shpërblim për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e autorit, ndërsa autoritetet i kanë bërë thirrje të vetëdorëzohet.
Duket se edhe thirrjet publike, si ajo e ministrit të Brendshëm, Taulant Balla një ditë më parë për t’u vetëdorëzuar, kanë rënë në vesh të shurdhët. 28-vjeçari Novruz Cenalia u vra me një plumb në kokë më 13 maj 2024 në fshatin Baltëz të Fierit.
Ai ishte nisur për të shkuar në punë, por u përfshi në një debat me Azgan Mërnicën, 23 vjeç, për radhën e kalimit me makinë.
Dyshohet se sherri ka nisur për kalimin e një rruge të ngushtë në fshatin Baltëz, ku jetonte viktima, ndërsa autori i cili jetonte në fshatin pranë, Sulaj, kalonte shpesh.
Në këtë moment, 23-vjeçari nxori pistoletën që e mbante me vete dhe me një tek plumb në kokë la të vdekur në vend punonjësin e Policisë së Shtetit. Më pas ai u largua nga vendi i ngjarjes.
Mësohet se edhe babai i viktimës është punonjës policie dhe se lajmin tragjik për vdekjen e të birit e mori në sallë operative.
Si autori i dyshuar, ashtu sikurse viktima rezultojnë të dy me origjinë nga Hasi. Babai i viktimës, efektiv prej vitesh në radhët e policisë para viteve 2000 raportohet të ketë qëlluar për vdekje një person me rrezikshmëri të lartë, gjatë një operacioni policor.
Teksa vetë 23-vjeçari Azgan Mërnica nuk rezulton me precedentë penalë, vëllai i tij ndodhet aktualisht në burg, i akuzuar për vrasje. Mbetet për t’u sqaruar se cila është arsyeja që 23-vjeçari i mori jetën efektivit Cenalia.
Ishte një sherr banal i çastit që e çoi të hapte zjarr në drejtim të uniformës së policisë? Apo ngjarjet e së shkuarës e çuan të qëllonte në shenjë hakmarrje?
Policia e Fierit mohoi që konflikti të ketë nisur për shkak të një gjakmarrjeje të vjetër mes familjes së autorit dhe viktimës, por deri tani është përqendruar te pista e një konflikti të çastit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.