Ekspozite

Një Pikaso 10-vjeçar, pikturat i blihen për shuma mbi 150.000 dollarë

Nga Gazeta Si - Zakonisht një 10-vjeçar është në klasën e pestë dhe shqetësimi i tij më i madh janë detyrat e shtëpisë për të nesërmen.

Por ka edhe 10-vjeçarë të tillë si Andres Valencia, talenti artistik i të cilit ka fituar tashmë përkufizime diskrete si “Pikasoja e vogël”.

Siç raportohet nga New York Times, pikturat e tij të stilit surrealist jo vetëm që u blenë nga koleksionistë si Tommy Mottola dhe Jessica Goldman Srebnick, por ato u nxorën në ankand për shuma të mëdha: një u shit për 159,000 dollarë në një ankand Phillips de Pury në Hong Kong dhe një tjetër për 230,000 dollarë në një gala bamirësie në Capri.

10-vjeçari Andres Valencia

Në qershor, 35 prej veprave të tij u ekspozuan në një ekspozitë në galerinë Chase Contemporary në SoHo: deri në fund të mbrëmjes të gjitha 35 ishin shitur, për shifra që varionin nga 50,000 deri në 125,000 dollarë.

Andres filloi të pikturonte kur ishte 4 vjeç dhe prindërit e tij (nëna e tij është një dizajnere bizhuterish, babai i tij është një avokat dhe menaxher i boksierit profesionist Frank Sánchez) e kuptuan se djali i vogël e kalonte pjesën më të madhe të kohës së tij të lirë në dhomën e ngrënies në shtëpinë e tyre në San Diego, i zënë me kopjimin e një vepre të artistit të grafitit Retna, një ish-klient i babait të tij.

Pastaj Andres filloi t’i shiste pikturat e tij një miku të familjes për çmimin prej njëzet dollarësh (kush e di lumturinë e këtij miku të familjes për idenë e rishitjes së atyre veprave të hershme tani, me një çmim të përshtatur me famën aktuale të Andres). Me kalimin e kohës, çmimet e veprave të Andres janë rritur në pesë mijë dollarë.

Në atë moment mami dhe babi kuptuan se ishte koha për të ndarë talentin e Andres me botën, duke e lejuar atë të bëhej një artist i vërtetë profesionist.

Debutimi u bë falë Nick Korniloff, drejtor i Art Miami. Korniloff, gjatë turneve me guidë, i pyeti koleksionistët: “Po sikur t’ju them se ato vepra janë të një djali 10-vjeçar dhe disa prej tyre i ka bërë kur ishte vetëm 8 vjeç?”

Në fund, bastin e tij Korniloff e fitoi: lajmi për Picasso-n e vogël u përhap aq shpejt sa edhe të famshëm si Sofia Vergara dhe Channing Tatum blenë disa nga pjesët e tij.

I famshmi i fundit që u bë i pasionuar pas artit të tij ishte V, këngëtari i BTS, i cili ndau një nga veprat e tij në profilin e tij në Instagram.

Andres nuk është fëmija i parë artist në botën e artit. Disa vjet më parë, disa koleksionistë shpenzuan nga 250 deri në 1500 dollarë për pikturat ekspresioniste të dyvjeçares Lola June.

Më pas ishte edhe rasti i Aleksandra Neçitës, e cila kur ishte 12 vjeç u përkufizua si “Mozart me furçë”.

Për shumë në botën e artit, megjithatë, është e vështirë të pranohet që artistë të tillë të rinj janë tashmë kaq të famshëm dhe pikturat e tyre blihen në këto shuma kaq të larta: vetë Andres në Nyt tha se: “kushdo që sheh një fëmijë duke skicuar në letër me një penel, automatikisht mendon se ato vizatime nuk duhet të shfaqen në një galeri. Ndonjëherë më të mëdhenjtë thjesht nuk e kuptojnë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë