Futboll

Një penallti ndal Partizanin në Laç, Gjoka largohet nga Kamza

Partizani nuk arriti ta thellonte diferencën e pikëve me vendin e dytë, pasi u mund 1-0 në Laç, ku vendosi një penallti në minutën e 13-të, e kthyer në gol nga Ndriçim Shtubina. Ishte episodi që vendosi fatin e ndeshjes, pasi më pas të kuqtë nuk mundën të bën asgjë për të shkuar të paktën te barazimi.

Ka pasur kontestime nga ana e klubit të Partizanit për penalltinë e dhënë nga kryesori Klajdi Kola në fushën e Laçit. Faulli i Atandës, sipas drejtuesve të Partizanit, është bërë jashtë zonës dhe jo brenda saj. Trajneri Skënder Gega, më shumë se për penalltinë, kishte rezerva për lojën e paktë efektive, për shkak të ndërprerjeve të shumta të ndeshjes, që penalizonin lojën e skuadrës së tij. Është një humbje që nuk i rëndon shumë Partizanit, pasi edhe Kukësi rival u mund në Durrës. Dhe është pikërisht Teuta ndjekësi më i afërt i të kuqve, me një diferencë prej 7 pikësh pas javës së 22-të.

Në ndeshjen tjetër të orës 14:00, Kastrioti fitoi në fushën e Kamzës, me një gol të shënuar në kohën shtesë nga Ymeraj. Fitore e rëndësishme për krutanët në garën e mbijetesës, ndërsa trajneri i Kamzës, Ernest Gjoka, ka dhënë dorëheqjen. Ai tha fillimisht se do të rishikonte pozicionin e tij pas kësaj humbjeje, pasi e sheh situatën të pashpresë, por më pas klubi njoftoi se ai është dorëhequr.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë