Ana e errët

Një në tre të moshuar dhunohen nga fëmijët e tyre për shkak të varësisë nga droga

Gazeta Si - Një në tre të moshuar apo që kanë lidhje prindërore, dhunohen nga fëmijët e tyre për shkak të varësisë nga droga.

Kjo shifër i pohohet Gazetasi.al nga burime shumë të sigurta policore që bazohen tek denoncimet në rang kombëtar të të moshuarve, të cilët jetojnë me njërin nga dhunuesit.

Policia i thotë Gazetasi.al se pjesa tjetër që dhunojnë të moshuarit, janë djem të alkoolizuar, kurse në një përqindje të papërfillshme, prindërit e moshuar goditen fizikisht nga fëmijët vajza dhe djem, gjatë mosmarrëveshjeve banale kur mungon komunikimi midis tyre.

Gazetasi.al iu vendosën në dispozicion vendime që tregojnë dramën e shkaktuar në dhjetëra familje nga varësia e drogës.

Babai i dhunuar është i moshës 50 vjeç dhe sipas denoncimit, situata i doli nga kontrolli me të birin, me të cilin jetojnë në zonën e Saukut pranë Tiranës, pasi  R.T., nisi të vjedhë fillimisht biçikleta.

Më pas sende të tjera jashtë shtëpisë dhe pak nga pak, ai iu afrua shtëpisë. Kur prindërit e zbuluan se djali i vetëm kishte varësi nga droga, ata nuk kishin mundësi që ta shtronin për rehabilitim, por shmangën mbajtjen e parave në banesë, bizhuteritë, por edhe objekte që do të konvertoheshin në para. Por as kjo nuk qe një zgjidhje.

T.T., që dha prova të mjaftueshme për policinë për nisjen e procedimit penal ndaj fëmijës së vetëm për akuzën e nenit 130/a të Kodit Penal, thotë: “I kërkoi para të ëmës për të dalë. Por ne kemi kohë që dyshojmë se nuk mbajmë asnjë të hollë në shtëpi. Jemi të bindur që ai pi drogë. Është bërë i egër dhe shpërthen pa shkak. Bërtet dhe është agresiv. Nisur nga ky fakt se djali ynë është përdorues, e ëma nuk i dha asnjë lek, ndaj nuk i dhashë as unë”.

I riu ka shpërthyer, duke thyer çdo gjë që i dilte përpara.

“Kështu R.  filloi të dëmtojë sendet dhe orenditë shtëpiake. Gjendur në këto kushte, i frikësuar i fola dhe po përpiqesha ta qetësoja, por im bir më sulmoi fizikisht. Më qëlloi me grushte, me shkelma, me orenditë që i kishte thyer, derisa ndërhyri gruaja dhe më hoqi nga duart e tij. Ishte i fortë fizikisht dhe përveç gruas ndërhyri dhe nëna ime, por ai u egërsua akoma më tepër dhe kërkonte me patjetër para”, - shprehet babai i përdoruesit të drogës.

Policia konfirmon për Gazetasi.al se i dyshuari është përdorues droge, pasi disa herë është shoqëruar me doza të ndryshme, por më pas çështja është pushuar, duke qenë se ka rezultuar përdorues.

“Që është përdorues, e kam konstatuar i pari dhe i kërkova nënës time të bënte kujdes, pasi ajo e mban pensionin në një kuletë në trup. Së bashku me gruan, i hoqëm paratë nga shtëpia. Djali na ka dhunuar edhe herë tjetër, por ne nuk kemi ardhur në polici, sepse kemi menduar që T. do ndryshonte sjellje” shton më tej prindi i keqtrajtuar në dosjen që iu tregua Gazetasi.al.

Në të njëjtën linjë është edhe gjyshja, e cila thotë se “ne i shmangemi sa herë agravohet, mbyllemi në një dhomë dhe nuk reagojmë”, - shton e moshuara, e cila është kthyer disa herë dëshmitare e sulmeve të të riut për të marrë para nga prindërit.

Pas këtij përshkrimi policia i pohoi Gazetasi.al se asnjë nga prindërit, por edhe gjyshja e tij nuk u paraqitën për të kryer ekspertizën fizike për të vërtetuar shenjat e dhunës që do të sjellin ngritjen e akuzës ndaj të riut, që sipas kartelës që i ati paraqiti, ai duhet falur, sepse i ka nisur viti akedemik dhe rrezikon të humbasë studimet e larta.

“Depozitoj këtë deklaratë noteriale me përgjegjësi të plotë dhe dua të them se konflikti ndodhi për fajin tim, pasi e provokova tim bir”, - shton më tej babai, i cili pavarësisht këtij qëndrimi, nuk e ka bindur gjykatën se i riu duhet të lërë qelinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë