Kombetarja

Një muaj para ndeshjes me Shqipërinë, Turqia shkarkon trajnerin

Një nga rivalët kryesorë të Shqipërisë në eliminatoret e kampionatit Europian, Turqia ka pësuar një tronditje vetëm një muaj para fillimit të ndeshjeve. Federata turke ka shkarkuar nga drejtimi i kombëtares, trajnerin rumun, Mirçea Luçesku. Lajmi është bërë zyrtar nga vetë federata që ka njoftuar ndërprerjen e bashkëpunimit me teknikun veteran.
“Pas një takimi të zhvilluar sot mes bordin drejtues të Federatës dhe trajnerit Mirçea Luçesku, u vendos ndërprerja e marrëveshjes me mirëkuptim mes palëve. Federata turke do të dëshironte të falënderonte Mirçea Luçeskun për punën që ka bërë me ekipin kombëtar dhe me gatishmërinë për të punuar me emra të rinj për të ndërtuar një ekip për të ardhmen. Ne do të dëshironim t’i uronim sukses në të ardhmen”,- shkruhej në njoftimin e federatës turke të futbollit.

Shkarkimi ka ardhur i befasishëm për kohën delikate kur ka ndodhur edhe pse kishte disa muaj që raportet mes drejtuesve turq dhe teknikut rumun ishin prishur. Më datë 22 mars Turqia do të ndeshet me Shqipërinë në “Loro Boriçi” në Shkodër. Për këtë ndeshje me shumë mundësi në stolin e kombëtares së Turqisë pritet të jetë tekniku Senjol Gynesh. Edhe pse nuk është zyrtarizuar ende emri i tij, me shumë gjasa sipas medieve turke do të jetë Gynesh tekniku që do të drejtojë kombëtaren dhe do të synojë ta kualifikojë atë për në Euro 2020.

Turqia bashkë me Islandën janë rivalet e drejtpërdrejta të Shqipërisë në luftën për të kapur vendin e dytë në grup që të çon në finalet e Europianit. Mbetet për t’u parë nëse kjo lëvizje e beftë nga Turqia do të ndikojë për mirë apo për keq.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë