Futboll

Një milion euro gjobë për këpucët e zeza. Mund të shkonte më keq!

Kur të vjen e keqja, hapi derën. Futbollisti i Barcelonës, Rafinja, jashtë fushave për një dëmtim serioz, jo vetëm po përjeton makthin e disatë të një faze rikuperimi në karrierën e tij, por duhet të paguajë edhe një gjobë të majme. “AS” shkruan se ai duhet t’i paguajë Adidas-it një milion euro, sepse ka luajtur me këpucët e zeza nga 1 korriku i këtij viti.

Në futbollin modern, asnjë lojtar i niveleve të larta nuk mund të jetë pa një sponsor të njohur. Në rastin e lojtarit të Barcelonës është protagonist Adidas, që duke parë Rafinjën të zbresë në fushë pa respektuar kontratën, ka vendosur ta çojë në gjyq. Për mesfushorin ka ardhur kështu gjoba prej një milion eurosh. Por në një lajm të keq ka edhe një lajm të mirë: gjykata, pasi i ka dhënë të drejtë Adidasit, i ka ulur pretendimet e kompanisë gjermane, që kërkonte një dëmshpërblim prej 100 mijë eurosh për çdo ditë të kaluar nga 1 korriku deri në datën e vendimit. Trupi gjykues vendosi që lojtari nuk duhet të paguajë më shumë se 1 milionë euro.

Rafinja, duke luajtur me këpucët e zeza

Sipas Rafinjës dhe përfaqësuesve të tij ligjorë, kontrata me Adidasin duhej të kishte skaduar më 1 korrik të 2018-ës. Por në kontratë ishte edhe një pikë që shpjegonte qartë se kompania gjermane kishte të drejtë ta shtynte kohën e sponsorizimit deri në mars të 2023-shit në mënyrë të njëanshme. Gjykata nuk kishte dyshime për këtë pikë, që nuk mund të anulohej. Nuk është një periudhë me fat për Rafinjën, i cili nuk ka as mundësinë ta nxjerrë inatin e këpucëve, duke shkelmuar ndonjë top.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë