Kombetarja

Një “meteor” te Shqipëria, Kamer Qaka firmos me Shkëndijën e Tetovës

Ju kujtohet Kamer Qaka? Ish-lojtari i Kombëtares në kohën e trajnerit Kristian Panuçi, ka firmosur sot me Shkëndijën e Tetovës, që drejtohet nga trajneri Ernest Gjoka. Një lëvizje surprizë kjo e mesfushorit që karrierën e ka të lidhur më së shumti me kampionatin rumun. Qaka ka firmosur për 1.5 vjet me Shkëndijën dhe ka bërë prezantimin te klubi tetovar.

“Është ndjenjë e mirë të jem pjesë e Shkëndijës, kam dëgjuar shumë gjëra të mira për këtë klub serioz. Mezi pres të luaj për të treguar potencialin tim. E di që Shkëndija është shumë e fortë në kampionat, edhe në Europë kam ndjekur disa ndeshje shumë të mira me skuadra të njohura. Shpresoj që ta ndihmoj skuadrën për të arritur edhe më shumë. Kam dëgjuar se Shkëndija luan futboll shumë sulmues. Serioziteti i klubit më bëri të pranoj ofertën. Jam shqiptar dhe gjëja më e madhe është të luaj për Kombëtaren”, - ka thënë Qaka mes të tjerash në prezantim.

Qaka prezantojet te Shkëndija e Tetovës. Gazeta Si, 26 janar 2021

Kamer Qaka, 25 vjeç, ka lindur në qytetin e Pejës, por kur ai ishte 2 vjeç, familja e tij emigroi në Norvegji. Fillimet e tij në futboll janë me Valerengën, pastaj ka luajtur për Raufos, Honefos, Kristiansund dhe Kongsvinger në Norvegji, për të kaluar në Rumani në 2017-ën, te Politehnika Iasi. Në 2018-ën veshi fanellën e Steauas së Bukureshtit për pak kohë e pastaj kaloi te Universitatea e Kraiovës.

Mesfushori ka luajtur me moshat e Norvegjisë dhe të gjithë u surprizuan kur emri i tij u shfaq në listën e ish-trajnerit të Shqipërisë, italianit Panuçi. Qaka ka luajtur 4 ndeshje me fanellën kuqezi, për të “humbur” më pas kontaktet me Shqipërinë. Para Qakës, një tjetër ish-futbollist i Kombëtares, Valon Ahmedi, ishte pjesë e Shkëndijës. Pak ditë më parë ai kaloi në Bjellorusi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë