Futboll

Një i papunë si Dani Alvesh, në rrjetet sociale tregon se çfarë mund të bëjë (FOTO)

Dani Alvesh pa asnjë dyshim është njëri prej mbrojtësve anësorë më të mirë të 15 viteve të fundit. Trofe dhe vlerësime pa fund, kudo ku ka luajtur dhe në rol protagonisti e bëjnë brazilianin një legjendë të vërtetë. Por në moshën 34-vjeçare është pa ekip. Pasi mbylli kontratën me PSG ai është një lojtarë i lirë dhe mund të firmosë për cilindo klub që dëshiron, mjafton që t’i paguajnë rrogën ‘modeste’ prej 7 milionë eurosh.

Braziliani është përfolur për të kaluar në disa ekipe gjatë kësaj vere, por deri më tani ende nuk ka pasur asgjë konkrete. I gjendur në këto kushte, Alvesh e ka marrë vetë situatën në kontroll. Me humorin që e karakterizon, Dani Alvesh ka bërë disa postime ironike në dy ditët e fundit.

https://www.instagram.com/p/B0ZVCi_nMDD/?utm_source=ig_web_copy_link

Në fillim ishte postimi i tij, ku ai theksonte se është i hapur për të gjetur ekip të ri për sezonin e ardhshëm dhe ata që e duan, mund t’i hedhin një sy CV-së së tij. Dhe në fakt kjo e fundit është shumë e pasur, pasi vetëm pak javë më parë ai u bë lojtari me më shumë trofe të fituar në futboll.

Por Alvesh nuk u mjaftua me kaq. Sot ai ka postuar disa foto të tjera në rrjetet sociale. Në profilin shoferit, kopshtarit, shitësit në market, apo edhe policit, Dani Alvesh ka treguar se ai mund t’i bëjë të gjitha punët. Sigurisht me nota humori, por Alvesh tregon se mezi po e pret një aventurë të re.

Por humori në rrjetet sociale nuk është ndalur këtu. Klubi i ligës së dytë spanjolle, Kadiz ka bërë një tjetër hap të guximshëm. Kadiz i ka propozuar Alvesh në profilin e tij në instagram, duke i thënë se nuk mund t’i ofrojnë shumë para, por kanë të tjera asete që mund t’ia vënë në dispozicion.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë