Rend dhe Ligj

I kërkuari për vrasje refuzoi identifikimin. Polici e plagos në këmbë, plagoset edhe një kalimtare

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur paraditen e kësaj të premteje në Tiranë, ku një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore pasi ka kundërshtuar t’i bindet urdhrit të policit për identifikim dhe e kërcënoi efektivin me armë.

Ngjarja ka ndodhur te Xhamlliku, pranë shkollës “Niket Dardani”.

Mësohet se personi, i dyshuar si Orges Bilbili, i cili ishte në kërkim për vrasje, ndërsa mbeti i plagosur nga polici, por dhe një kalimtare e rastit, një vajzë.

Mësohet se dy të plagosurit kanë marrë plumba në këmbë, ndërsa janë transportuar me urgjencë në spital jashtë rrezikut për jetën.

Personi që i nxori armën dhe kërcënoi të qëllojë efektivin e forcave Shqiponja, Orgest Bilbili, ishte person në kërkim për vrasje në Lushnjë.

Në tetor 2019, së bashku me Laert Haxhiun, vranë Besmir Hidën 40 vjeç, baba i dy fëmijëve, i cili u ekzekutua në qendër të qytetit të Lushnjës teksa ishte duke pirë kafen në katin e dytë të një lokali.

Për ngjarjen e rëndë ka reaguar edhe drejtori i Policisë së Tiranës.

Në një komunikim për mediat, Jaupi, tha se efektivi është detyruar të qëllojë ndaj personit të dyshuar, duke e lënë të plagosur, ndërkohë që një plumb rastësor mori edhe një qytetare që ndodhej pranë zonës. Të dy ndodhen jashtë rrezikut për jetën nën kujdesin e mjekëve në spitalin e Traumës në Tiranë. Jaupi tha se personi në fjalë dyshohet të jetë me rrezikshmëri të lartë shoqërore, por pritet t’i merren gjurmët e gishtërinjve për të faktuar dyshimet e tyre, që aktualisht siç ai tha lidhen me një person në kërkim.

“Një punonjës policie i cili kërkon dokumentet e identifikimit një qytetari, nuk i është përgjigjur. Në momentin që i ka kërkuar çfarë keni në çantë, qytetari është larguar me vrap në drejtimin pas nesh, punonjësi i policisë e ka ndjekur, dhe sapo kalon kthesën e parë qytetari i ka drejtuar armën punonjësit të policisë, ai e ka paralajmëruar ulni armën se do iu qëlloj dhe ka qëlluar një herë në ajër. Qytetari ka lëvizur me vrap, dhe në kohën që punonjësi i policisë e paralajmëron përsëri të ulë armën të dorëzohet, ai ka drejtuar armën dhe i ka thënë policit po të qëlloj nëse nuk largoheshin. Punonjësi ka qëlluar në drejtim të tij dhe e ka plagosur, aktualisht ndodhet në spital, është plagosur në këmbë, por akoma nuk kemi një informacion të saktë në afërsi të kësaj skene ka qenë një qytetare që edhe ajo ka marrë një plumb në këmbë, nga punonjësi i policisë. Nuk e kemi identifikuar akoma por dyshimet janë se kemi të bëjmë me një të rrezikshëm të shpallur në kërkim. Do ju japim informacion sapo t’i marrim gjurmët. Punonjësi i policisë është me përvojë i ekipit shqiponjave ishte i vetëm, dhe ka vepruar në bazë të procedurave standardë të punës, ne kemi ngritur grupin e punës për identitetin e personit që pak a shumë kemi një emër por do jua bëjmë me dijë me vonë. Momentalisht janë jashtë rrezikut të dy, në spitalin e traumës po punojnë mjekët. Efektivi nuk është qëlluar, është në drejtorinë e policisë Tiranë për veprimet proceduriale”, tha drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupi, para se të zbulohej identiteti i Orgest Bilbilit.

Më Shumë