Futboll

Një gotë plastike birre ndaj arbitrit ndërpret ndeshjen në Gjermani. Po në Shqipëri?!

Gazeta Si - Mbrëmjen e së premtes u bë rival episodi i ndodhur në ndeshjen e Bundesligës mes Bohumit dhe Borusia Mënshegladbah, e ndërprerë 20 minuta para fundit, sepse një nga arbitrat anësorë u godit në kokë me një gotë plastike birre.

Një episod i shëmtuar nga ana e tifozëve të Bohumit ndaj asistentit Kristian Gitelman. Ndeshja u ndërpre dhe u quajt e pezulluar përfundimisht, me skuadrën mike në avantazh 0-2.

Një situatë sureale, po të kemi parasysh faktin se gjatë pasdites klubi i Bohumit shpërndau një video, me anë të së cilës i ftonte tifozët të pinin birrë, por pa hedhur gota në fushë, duke qenë se episode të ngjashme janë vënë re edhe në të kaluarën. "Një përshëndetje për të gjithë ata që pinë birrë në stadium! Më mirë dëgjoni kapitenin…". Ky ishte mesazhi që shoqëronte videon, ku Antoni Losila u kërkonte fansave të mos hidhnin sende në fushë.

Gjithsesi, në Gjermani ka rregulla që respektohen. Menjëherë ndërprerje e ndeshjes. Po në Shqipëri çfarë ndodh? Praktikisht asgjë, madje as kur arbitrat goditen me gurë nga tifozët në shkallët e stadiumit dhe jo me gota plastike. Ndeshja vazhdon të luhet, ndërsa komisionet disiplinore vendosin disa gjoba modeste për klubet.

Nga nje ndeshje, ku ehste goditur arbitri ne Korçe. Gazeta Si, 19 mars 2022

Mjafton të kujtojmë rastin e stadiumit të Korçës, ku në tri ndeshje radhazi ka pasur ndërprerje të lojës për goditje të arbitrit anësor me gur nga tifozët pas shpinës së tij. Në të tre rastet ndeshja nuk është pezulluar, edhe pse rregullorja e parashikon këtë gjë. Në dy rastet e para ka pasur vetëm gjoba dhe vetëm në rastin e tretë klubi korçar është dënuar të luajë pa tifozë. Një absurditet! Regullat sigurisht që janë edhe në vendin tonë, por nuk zbatohen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë