Futboll

Një gol Mançesterit para provimit, 16-vjeçari që heshti “Old Trafford”

Me shumë vuajtje Mançester Junajtid kaloi Rochdale në kupë, pas gjuajtjeve të penalltive. Ai që shkëlqeu në këtë ndeshje ishte një djalosh, i cili as nuk u ndërrua në dhomat e zhveshjes me shokët e ekipit për shkak të moshës. Ishte një nxemje e bukur para një provimi në shkollë.

Pas kuintave të një mbrëmjeje speciale është një çantë plot me libra, një provim që duhet kaluar, por pas “Old Trafford”-it. Luke Matheson është 16 vjeç, ka lindur në 2002-shin dhe të mërkurën në mbrëmje i shënoi Mançester Junajtid në Kupën e Ligës, duke frikësuar së tepërmi trajnerin Solskjaer. E çoi ekipin e tij, Rochdale, deri te penalltitë, zëvendësoi në momentin e fundit Peter Thomas dhe ishte i vetëm në dhomat e zhveshjes. Në Angli funksionon kështu: nëse je 16 vjeç ose më i vogël, nuk mund të vishesh bashkë me të rriturit. Janë rregulla.

Luke Matheson feston golin ndaj Mançester Junajtid, një ditë para provimit. Gazeta Si, 26 shtator 2019

Matheson u sistemua në dhomën antidoping dhe pastaj realizoi ëndrrën e jetës, shënoi në “Old Trafford” ndaj gjigantëve të Mançester Junajtid. Sot ishte në shkollë për të dhënë një provim psikologjie. Rochdale u eliminua me penallti, por ai i shënoi Romeros dhe sfidoi Pogba, ndërsa fanellën e ndërroi me Lingard. Vërtet një ëndërr për biondin 16-vjeçar, i cili është bërë menjëherë i famshëm në Angli. Vitin e kaluar debutoi me skuadrën e parë në “Checkatrade Trophy” ndaj Bury, një trofe ku marrin pjesë skuadra të League One dhe League Tëo. Ishte 15 vjeç e 335 ditë, një rekord absolut për klubin, por jo për vendin (Reuben Noble-Lazarus debutoi në 2008-ën me Barnsley 15 vjeç e 45 ditë).

Atë ditë fitoi çmimin e lojtarit të ndeshjes, humbi edhe pushimet për t’u stërvitur me skuadrën e parë. Dedikim, ambicie dhe talent. Këtë vit ka luajtur 5 ndeshje mes kampionatit dhe kupës. Ndaj Mançester Junajtid realizoi golin e parë sezonal. Liverpuli dhe Junajtid tani e kanë në vëmendje. Natën para provimit është më mirë ta kalosh në “Old Trafford”…

Luke Matheson, 16 vjeç. Gazeta Si, 26 shtator 2019

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë