Futboll

Një derbi ndryshe, Tirana e pret Partizanin me muzikë në “Air Albania”

Gazeta Si - Kryesfida e javës së 23-të të Abissnet Superiores, derbi mes Tiranës dhe Partizanit, luhet të shtunën në “Air Albania”, në orën 19:45. Për këtë ndeshje speciale, Tirana si klub organizator, ka menduar diçka ndryshe.

Në klubin bardheblu kanë menduar t’i japin ngjyrat e një spektakli ndeshjes dhe sipas njoftimit në faqen zyrtare, para se të nisë loja, në tapetin e blertë do të përformojnë disa këngëtarë, mes të cilëve edhe Stresi.

Njoftimi i Tiranes per biletat e derbit. Gazeta Si, 4 mars 2022

“E shtuna pret ndeshjen Tirana-Partizani, që do të luhet në orën 19:45, në stadiumin “Air Albania”. Jo vetëm futboll të bukur, por edhe performancë argëtuese është ajo çka është rezervuar nga klubi në këtë ditë. Pak minuta përpara startit të ndeshjes, në orën 19:30, do të zbresin në fushë 3 nga këngëtarët më të kërkuar të momentit. Në një performancë fantastike të rezervuar për futbolldashësit, ju presim të përjetojmë së bashku këtë atmosferë, duke mbushur shkallët e stadiumit. Për Tironën!”

Ky është njoftimi i klubit të Tiranës, që kërkon të ketë sa më shumë tifozë në shkallët e stadiumit. Një organizim që Tiranës ia lejon edhe komoditeti që ka në tabelën e renditjes. Bardheblutë po shkojnë drejt titullit, kanë 8 pikë diferencë me Laçin e vendit të dytë, ndërsa Partizani, si rrallëherë, vjen në këtë derbi 19 pikë prapa rivalëve të përjetshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë