Një bllok akulli njëqind metra i lartë, i është afruar zonës së banuar në brigjet veriperëndimore të Groenlandës. Ky ajsberg ka shqetësuar autoritetet lokale , të cilët u kanë bërë thirrje banorëve të ishullit të Innarsuit të evakuohen nga shtëpitë e tyre.
Davidsen, shefja e policisë së Grenlandës, thotë se nëse thyhet ajbergu, ai do të shkaktonte përmbytje në zonë.
Fshati në fjalë ka 169 banorë, por vetëm atyre që jetojnë pranë bregut u është kërkuar të largohen nga shtëpitë.
“Është më i madhi që kemi parë ndonjëherë”, thonë disa prej banorëve. Sipas Institutit Meteorologjik Danez, ajsbergu i cili ngrihet rreth 100 metra mbi ujë, ka krisje në të gjithë sipërfaqen e tij dhe herë pas here lëshon zhurma frikësuese që pasohen nga shkëputja e ndonjë cope të madhe akulli.
Vendasit i druhen ndonjë shkëputjeje masive apo shembjeje të plotë që do të dërgonte dallgë tsunami në gjirin ku ndodhet fshati i vogël. Ka megjithatë dhe ndonjë që shpreson që po nuk bëri dëme, ajsbergu mund të kthehet në një rast të mirë për të tërhequr turistët e për t’i hapur ca dhe ata vetë me botën.
Autoritetet janë të shqetësuar për shkak se stacioni i energjisë në fshat dhe depozitat e karburantit janë pranë bregut.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.