Politike

Nisma “Thurje” fton Bashën: Bashkohu me ne kundër sistemit zgjedhor

Nisma “Thurje” fton Lulzim Bashën që t’i bashkohet kauzës së saj për ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe shpreh shqetësimin se dy partitë e mëdha anashkaluan në Këshillin Politik kërkesën e shprehur përmes 50 mijë votave të qytetarëve për ndryshimin e këtij sistemi.

“Prandaj i bëjmë thirrje koalicionit opozitar dhe veçanërisht kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, që t’i bashkohet këtij fronti të përbashkët civil, për të kërkuar ndryshimin e sistemit zgjedhor, i cili ka fuqizuar qeverisjen autokratike të Edi Ramës dhe i ka dhënë atij mundësi të qëndrojë në pushtet kundër vullnetit të zgjedhësve. Duke besuar se kauzat janë më të rëndësishme se sa subjektet politike, besojmë që përpara llogarive personale, ata do të vendosin jo vetëm interesin e votuesve të tyre dhe subjekteve politike që drejtojnë, por mbi të gjitha interesin e përbashkët kombëtar”, thuhet në deklaratë.

“Thurje” kujton nismën e depozituar në Kuvend në muajin janar, me nënshkrimet e 50 mijë shqiptarëve ku kërkohet aplikimi i sistemit zgjedhor proporcional kombëtar me lista të hapura. Ajo thekson se mungesa e mekanizmave llogaridhënës që burojnë prej këtij sistemi zgjedhor e bëjnë të pamundur për qytetarët që të ndëshkojnë me votë autorët e keqqeverisjes, përfshirë këtu edhe të shembjes së godinës së Teatrit KOmbëtar.

Së dyti, Nisma “Thurje” beson se nëse zgjedhësit do kenë mundësi të zgjedhin në mënyrë direkte përfaqësuesit e tyre, ata do të zgjedhin një Parlament shumë më cilësor se Parlamenti aktual.

Së treti, Nisma “Thurje” thotë se sistemi aktual nuk garanton parimin kushtetues të barazisë së votës dhe thotë se në qarqe të ndryshme, vota merr vlera të ndryshme.

“Me ndarjen aktuale të zonave zgjedhore 87 mijë votues të Kukësit përfaqësohen në Kuvend me tre deputetë, ndërkohë që po i njëjti numër votuesish në Dibër, përfaqësohen nga katër deputetë. Gjithashtu, një deputet i Tiranës përfaqëson 26’328 banorë, ndërsa një në Gjirokastër përfaqëson gjysmën e tyre, 12’285 banorë”, thuhet në deklaratë.

Së katërti, Nisma “Thurje” mendon se sistemi aktual ka ngritur barriera antikushtetuese dhe të pakapërcyeshme për përfaqësimin në Kuvend të grupeve të caktuara të shoqërisë.

“Për ta ilustruar: megjithëse pragu elektoral ligjor është 3%, pragu natyral në disa zona shkon deri në 34%. Ky prag kaq i lartë lë të papërfaqësuar grupe minoritare në shoqëri dhe e manipulon vullnetin e tyre, duke e transferuar atë tek partia më e madhe. Shembulli më i qartë i këtij manipulimi janë zgjedhjet e 2017, ku Partia Socialiste, megjithëse fitoi vetëm 48% të votave, që korrespondon me 67 mandate, mori 74. Pra 7 mandate për Edi Ramën u prodhuan nga votat e atyre që kishin votuar kundër tij. Ky manipulim i vullnetit të zgjedhësve i dha Edi Ramës një mazhorancë të jashtëzakonshme, edhe pse ai nuk mundi dot të fitonte as gjysmën e votave”, deklaron Nisma.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë