Politike

Nisma e opozitës për ndryshimin e sistemit, akuza për falsifikim të firmave të deputetëve

Serioziteti i nismës së opozitës parlamentare për të ndryshuar Kushtetutën dhe sistemin zgjedhor u minua në mbledhjen e përbashkët të kësaj të premteje të Këshillit të Legjislacionit dhe të Komisionit të Ligjeve.

Deputeti Adriatik Alimadhi tha se kolegu i tij Kostaq Papa nuk e ka firmosur vetë atë. Ai tha se po të krahasohen firmat e tij me firmën e hedhur në nismën në fjalë ndryshimi është i qartë. Alimadhi deklaroi se në vend të Kostaq Papës firma është hedhur nga një deputet tjetër, pa bërë publik emrin e firmëtarit.

“Të krahasohen firmat. Ajo firmë dhe ato që ka hedhur Kostaq Papa herë të tjera. Firma reale është ndryshe dhe firma që ka firmosur një deputet tjetër është ndryshe. Unë tërhiqem dhe vazhdoni ju mbledhjen. Keni shtrembëruar proceset demokratike, edhe ky propozim shtrembëron votën e votuesve shqiptarë”, deklaroi Alimadhi.

Alimadhi akuzon për falsifikim dhe e cilëson këtë si papërgjegjshmëri dhe mungesë serioziteti për një nismë që prek Kushtetutën.

Deputeti Kostaq Papa pranoi se nuk e ka firmosur personalisht nismën në fjalë, por thotë se e mbështet atë.

“Unë jam deputet fuqiplotë dhe gjithçka që bëj e bëj me ndërgjegje, kur vjen puna për të ndihmuar 85 për qind të shqiptarëve për ndryshimin që duan ata. Unë veproj edhe në forma të tjera. Nuk është ky thelbi. Thelbi është që unë jam dakord me firmën time, jam dakord me procedurën që është bërë. Nuk kam nevojë për avokat. Nuk është thelbi e hodha firmën me një presje, apo me dy presje, apo e firmosur nga dikush tjetër. Unë do të nisem te protokolli dhe do të hedh firmën për herë të dytë”, deklaroi ai.

Edhe kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja thotë se përplasja për firmën e zhvendos debatin nga thelbi, që janë ndryshimet e rëndësishme kushtetuese.

Nisma e opozitës parlamentare synon ndërhyrjen në Kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor, për të ndryshuar sistemin në proporcional kombëtar, vendosjen e pragut prej 5 për qind për një parti politike për të hyrë në Kuvend dhe ndalimin e koalicioneve parazgjedhore.

Copyright © Gazeta "Si"
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës "Si", në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë