Politike

Nishani: Shqipëria me vdekshmërinë më të lartë në rajon nga Covid-19

Ish-Presidenti Bujar Nishani thotë se në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria ka vdekshmërinë më të lartë nga koronavirusi.

Nishani, aktualisht pjesë e strukturave drejtuese të Partisë Demokratike thotë se matja e vdekshmërisë bëhet përmes numrit të personave të vdekur me numrin e të infektuarve në total.

“Nëse në Kroaci ajo është 1,4 %, në Malin e Zi 0,8 %, në Serbi 2,4 %, në Kosovë 2,7 %, në Bosnje & Hercegovinë 4,2 %, në Greqi 4,3 %, në Maqedoninë e Veriut 4,8 %, në Shqipëri raporti i personave të vdekur prej atyre të prekur nga virusi është 5,5 %”, thotë ai.

Ish-Presidenti deklaron se këto shifra dalin nga përllogaritja e të dhënave zyrtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë deri më 8 prill. Nishani akuzon Qeverinë për keqmenaxhim të situatës dhe për mosvendosje të të gjitha mjeteve, burimeve, mekanizmave të pushtetit në ndihmë të qytetarëve, por në shërbim të hajdutërisë dhe korrupsionit me tenderat edhe në kohë pandemie.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë