Me maska dhe duke mbajtur distancë, qytetarët e Kosovës po votojnë të dielën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, pas më pak se një vit e gjysmë nga zgjedhjet e fundit.
Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orëm 19:00.
Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 1.794.862 qytetarë, të cilët do të mund të votojnë në 888 qendra të votimit, me 2.382 vendvotime në 38 komunat e Kosovës. Këtë vit, KQZ-ja ka larguar nga lista e votuesve rreth 122.000 persona, të cilët kanë qenë të regjistruar vetëm me dokumente të UNMIK-ut, pasi ë këto zgjedhje se do të votohet vetëm me dokumente të Kosovës.
Procesi i votimit po mbahet në mot të ftohtë e me borë. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -11 deri -9 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet -5 deri -3 gradë Celsius.
Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, bëri të ditur se qendrat e votimit janë hapur sipas planit. Ai tha se procesi i votimit po vijon normalisht, në bazë të informatave të para nga terreni.
Elezi pranoi se për shkak të kushteve të rënda atmosferike dhe borës, ka pasur vështirësi në komunikacion gjatë dërgimit të materialit zgjedhor nëpër qendra të votimit, por shtoi se materiali është dërguar me kohë.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka votuar e para në qendrën e votimit në Fakultetin Teknik. Pas votimit ajo ka deklaruar se KQZ-ja tashmë ka përfunduar të gjitha përgatitjet dhe obligimet e veta kushtetuese e ligjore për votimet e së dielës.
“Ftoj qytetarët t’i respektojnë rregullat e pandemisë dhe gjatë ushtrimit të së drejtës së tyre, votimit”, ka thënë Daka në prononcimin për media duke shtuar se, "Sot ia dorëzojmë gjithë procesin subjekteve politike dhe votuesve".
"Ftoj subjektet politike t’i respektojnë rregullat, Ligjin për zgjedhjet dhe Kushtetutën e Kosovës”, ka deklaruar ajo.
Ndërkaq, e pyetur për organizimin e zgjedhjeve në veri, Daka ka thënë se KQZ-ja i ka organizur zgjedhjet në veri të Kosovës:
“Edhe në vitet e kaluara zgjedhjet i kemi organizuar vetë. Misioni i OSBE-së ka pasur vetëm rol këshillues”.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thotë se ka pranuar 43 mijë e 477 pako me fletëvotime, që janë dërguar me postë nga qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.